Ditë më parë një nga temat më të komentuara ishte marrëveshja pothuajse afër e Serbisë me Francën për blerjen e avionëve.
Serbia e ka shqyrtuar blerjen e avionëve të rinj Rafale për më shumë se dy vjet, që kur Kroacia, rivalja e saj ballkanike, bleu 12 avionë të përdorur të këtij lloji për rreth 1 miliard euro.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të martën se Serbia është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje për blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë Rafale, në atë që do të shënonte një ndryshim orientimi për furnizimet ushtarake, që deri tani vareshin nga Rusia
Vuçiq e bëri këtë paralajmërim në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Paris, gjatë së cilës bisedoi me presidentin francez Emmanuel Macron si dhe me zyrtarë francezë të mbrojtjes, përfshirë prodhuesin e avionëve Rafale, Dassault Aviation.
E në lidhje me këtë temë siç shkruan agjencia e lajmeve “Associated Press”, Blerja e mundshme e avionëve Rafale do t’i lejonte Serbisë të modernizonte forcën e saj ajrore të përbërë kryesisht nga avionë luftarakë MiG-29 të prodhimit sovjetik, si dhe avionë luftarakë jugosllavë të vjetër.
Rusia ka qenë një furnizues tradicional i avionëve ushtarakë, duke përfshirë helikopterë luftarakë, për Serbinë, e cila ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë.
Duke u bazuar në këtë situatë a mund të ndodhë një skenar i tillë nga Serbia?
Ymeri: Macroni është i bindur që kryfajtori i sulmit terrorist në Banjskë është vetë Vuçiçi
Prof. Eshref Ymeri
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Eshref Ymeri.
Ai thotë se kërkesa e Macronit drejtuar Vuçiqit është e natyrës diplomatike dhe se për shkak të marrëdhënieve miqësore të Francës me Serbisë të mëhershme duhet një rezervim i tillë.
“Kërkesa e Macronit, drejtuar Vuçiçit, për daljen para drejtësisë të përgjegjësve të sulmit terrorist në Banjskë, është e natyrës diplomatike, siç e kanë zakon politikanët, të cilët për arsyet që i dinë ata, nuk kanë dëshirë të shprehen ballazi për një akt kriminal.
Macroni është i bindur që krye-fajtori i atij sulmi terrorist është vetë Vuçiçi. Por Macroni rezervohet t’ia thotë Vuçiçit një gjë të tillë, sepse njihet mirë tradita e marrëdhënieve të vjetra miqësore të Francës me Serbinë, marrëdhënie këto me një trajektore të kahershme kundër kombit shqiptar. Përgjithësisht, Franca, pas dështimit të fushatës së Napoleonit kundër Rusisë në vitin 1812, antenat i ktheu nga sllavizmi, me në krye perandorinë ruse. Qëndrimi aspak dashamirës i Francës ndaj Dardanisë, ra në sy gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, kur pilotët francezë, siç ka deklaruar kolonel Dilaver Goxhaj, ish zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, njoftonin paraprakisht trupat serbe në Dardani se ku do të kryheshin bombardimet”, u shpreh ai.
Më tej, profesori jep një kronologji të raporteve Francë – Kosovë dhe thekson që Macron ia ka bërë atë kërkesë Vuçiqit për dy arsye.
“Në mars të vitit 2015, mbarë opinioni publik shqiptar u njoh me një deklaratë skandaloze të një eurodeputeti, një shovinist francez ky në parlamentin evropian, i quajtur Emerik Shoprad (Aymeric Chauprade – 1969). Ky tellall i shovinizmit ruso serbomadh, nga tribuna e parlamentit në fjalë, shprehu tërë urrejtjen e vet për Kosovën, të cilën e etiketoi si “çerdhe të krimit”, duke deklaruar se Parisi na paska bërë, demek, një “gabim historik” me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në mars të vitit 2017, kandidatja presidenciale, Marine Le Pen, ka deklaruar se kur të bëhet presidente e Francës do ta nisë anulimin e njohjes së Kosovës. Në një intervistë me gazetën serbe “Srpski Telegraf”, kryetarja e Frontit Demokratik ka thënë se “Kosova është tokë e shenjtë serbe”, prandaj shteti i saj “do ta tërheqë njohjen e Kosovës”.
Kam bindjen që Macroni ia ka bërë atë kërkesë Vuçiçit për dy arsye:
Së pari, për të qenë në të njëjtën gjatësi valë me mjete të informimit masiv evropian, të cilët e dënuan atë akt terrorit.
Së dyti, për t’ia ruajtur sadopak cipën Vuçiçit, që të mos përsëritë të tilla akte terroriste, se kriminelët do të marrin të njëjtën përgjigje që morën në Banjskë”, foli profesori Eshref Ymeri për “Bota sot”.
Mehmeti: Nuk mund të frenohet Serbia derisa armatoset
Faton Mehmeti
Ndërsa analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që kjo armatosje do të thotë që Serbia po përgatitet për një luftë të mundshme.
“Sigurisht se Serbia po përgatitet për luftë, kush nuk e kupton këtë është naiv ose bëhet i tillë.Blerja e armëvë të tilla, mjaft të përsosura si Rafale dëshmon më së miri një gjë të tillë. ë të njejtën kohë edhe Kosova duhet të përgatitet për luftë të mundshëm. Është e papranueshme se si nuk ka reagim nga ana e ndërkombëtarëve, që çdo armë që i shitet Serbisë të bëhet me marrëveshje me shkrim se nuk do i përdorë për të sulmuar, eventualisht vetëm për mbrojtje”, tha ai.
Në fund ai shton që Serbia është rrezik për mbarë rajonin dhe Evropën.
“Nuk mund të frenohet Serbia derisa armatoset, ky është rrezik për mbarë rajonin dhe Evropën. Besoj, se çdo ditë e më shumë Serbia do të armatoset, derisa kjo do u kushtojë shumë ndërkombëtarëve”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.