Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka përkujtuar Masakrën e Studenicës së Istogut, ku forcat serbe masakruan gjashtë të moshuar dhe katër vajza të mitura 25 vjet më parë.
Ajo theksoi se Masakra e Studenicës është një dëshmi rrëqethëse e gjenocidit dhe krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës së fundit.
“25 vite me parë, forcat serbe masakruan në Studenicë të Istogut 6 të moshuar dhe 4 vajza të mitura. Qëndresa Lipaj 15-vjeçare, Njomza Lipaj 14-vjeçare, Mirdona Lipaj 13-vjeçare dhe Lindihana Lipaj 12-vjeçare nga Kamenica e Istogut, kishin shkuar për t’u strehuar tek familjarët e tyre në Studenicë”, shkroi Gërvalla.
“Enver Lipaj, babai i dy prej vajzave të masakruara, nuk i mban dot lotët ndërkohë që tregon se pas ekzekutimit dhe masakrimit të tyre, këta katër engjëj, së bashku me të moshuarit u hodhën në bunarin e shtëpisë, ku u mbuluan me plot gjësende, para se bunari të hidhej në erë me dinamit”.
“Masakra e Studenicës është një dëshmi rrënqethëse e gjenocidit dhe krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës së fundit. Deri sot, asnjë nga autorët e këtij krimi as nuk është dënuar dhe as nuk është gjykuar”.
Ajo theksoi se për të nderuar sakrificën e dhimbshme të tyre, gjakun e derdhur për liri, vizituan familjen Lipaj dhe bashkë me ta bënë nderime pranë pllakës përkujtimore.