Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim ambasadorin britanik në Prishtinë Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale dhe çështjet aktuale.
Diskutimi u fokusua edhe në hapin e radhës drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe rëndësinë që anëtarësimi në këtë organizatë sjell në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave përmes qasjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Në këtë drejtim, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Britaninë e Madhe si shtet themelues i Këshillit të Evropës, aleat dhe partner i Kosovës.
Komiteti i Asamblesë Parlamentare të KiE miratoi në mars 2024 opinionin e raportueses Dora Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.
Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion javën e ardhshme, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta jep Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje në muajin maj. Kosova ka aplikuar në maj 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi i saj kundërshtohet nga Serbia.