Në një konferencë për media të mbajtur të martën, pas një takimi të gjithanshëm të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë për të adresuar rritjen e rasteve të vrasjeve të grave në Kosovë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm. Haxhiu ka theksuar se “mosveprimi dhe neglizhenca e vazhdueshme nga ana e institucioneve të drejtësisë po çon në transformimin e dhunuesve në vrasës.”
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, dhe përfaqësues të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, Haxhiu njoftoi se janë kërkuar masa urgjente për trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Këto përfshijnë nënshkrimin urgjent të kontratës për mbikëqyrje elektronike të dhunuesve, vlerësim të rreptë të sigurisë për çdo rast të dhunës në familje, dhe ashpërsimin e dënimeve për armëmbajtje pa leje.
Ministrja ka shtuar se do të bëhet një rishikim i politikave ndëshkimore dhe është paralajmëruar ngritja e një institucioni të ri për rehabilitimin e personave me probleme nga abuzimi i substancave narkotike. Po ashtu, ajo ka theksuar se “femicidi”, akti i vrasjes së grave bazuar në gjini, do të klasifikohet si një vepër penale e veçantë.
“Dhuna në familje dhe femicidi janë armiku i brendshëm me rrezik të madh për Kosovën,” ka thënë Haxhiu, duke vënë në dukje se që nga viti 1999, 99 gra janë vrarë nga partnerët e tyre. Ajo ka kritikuar ashpër përdorimin e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale dhe ka kërkuar monitorim më të rreptë.
Kjo vëmendje e rinovuar ndaj dhunës në familje vjen në një kohë kritike, pasi vetëm këtë muaj, dy gra janë vrarë nga ish-partnerët e tyre në rrethana tragjike. Lajmi i fundit vjen nga Peja, ku një grua u vra nga bashkëshorti i saj vetëm pesë ditë pas një incidenti të ngjashëm në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.