Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendosi më 16 prill 2024 me shumicë dërmuese votash të miratojë raportin e Bora Bakojanisit për pranimin e Kosovës në këtë organizatë të fuqishme të globit tokësor me fokus kontinentin evropian e më tej. Pro këtij raporti e për pasojë pro anëtarësimit të Kosovës në KiE votuan 131 deputetë, ndërsa kundër 29. Dhjetë të tjerë abstenuan. Duheshin mbi 2/3 e votave që vendimi të konsiderohej legjitim. Ishin më shumë se kaq.
Vendimin përfundimtar do ta marrin ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare. Në KiE janë gjithsej 46 shtete anëtare, nga të cilat 27 janë anëtare të Bashkimit Europian. Nëse ministrat e këtyre vendeve do të votojnë pro ose kundër, kjo mund të deduktohet nga analiza objektive e votave kundër që u dhanë të martën e kaluar. Pra duhet ditur se nga cilat vende vinin deputetët e Asamblesë së KiE-së që refuzuan të votojnë pro raportit të Bakojanis dhe pranimit të Kosovës në KiE. Dhe nëse e bëjmë këtë analizë, atëherë duhet ta marrim si të sigurt se ministrat e jashtëm të Serbisë dhe Spanjës e ndoshta edhe Qipro dhe Hungaria do të votojnë kundër Kosovës në KiE. Kundër pranimit të Kosovës votuan tetë deputetë spanjollë, katër hungarezë dhe dy qipriotë.
Nga Serbia të shtatë deputetët e saj votuan kundër. Madje në diskutime folën për “komplote” dhe “intriga” evropiane kundër Serbisë. Akuzuan rëndë raportuesen kryesore, zonjën Bora Bakojanis, megjithëse ajo është përfaqësuese e Greqisë, një vend që nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq votuan kundër Kosovës edhe një deputet serb i Mali të Zi dhe dy të tjerë të po kësaj etnie në Bosnjë-Hercegovinë. Por nuk pritet që ministrat e Jashtëm të këtyre dy vendeve të votojnë kundër në mbledhjen e Komitetit të Ministrave, sepse ata përfaqësojnë interesa jo identike serbe në vendet e tyre.
Përveç këtyre deputetëve asambleistë kundër votuan edhe tre deputetë francezë. Nuk mund të besoj me garanci se ministri francez i Punëve të Jashtme do të votojë kundër Kosovës për anëtare të KiE-së. Pavarësisht kësaj Franca edhe mund të abstenojë. Por çfarë ndodhi me Italinë? Pse duhej që ky vend i shpallur si aleat i ngushtë i Shqipërisë dhe Kosovës, e sidomos i Shqipërisë, të mbante qëndrim thuajse unanim kundër. Italia kërkoi në Komitetin politik që anëtarësimi i Kosovës në KiE të kushtëzohet me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Të paktën një deputet italian votoi kundër dhe gjashtë të tjerë abstenuan.
Situata e papritur që krijuan deputetët italianë na bëjnë me dije se ministri i Punëve të Jashtme i Italisë mundet që të abstenojë në votim në Komitetin e Ministrave. Një qëndrim i tillë negativ i Italisë, si pjesë e një prej vendeve të QUINT-it, ka krijuar një mjergull të madhe. Në analizën time kjo vjen për shkak të pozicionit ekstrem të qeevrisë së zonjës Meloni dhe favorizohet nga partneri i saj në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Marrëveshja për refugjatët dhe ngritjen e kampeve të tyre në Shqipëri (Lezhë e Shëngjin), ka forcuar ndjeshëm marrëdhëniet midis dy shefave të ekzekutivit të të dy vendeve. Kam përshtypjen se në kushtet e këtyre marrëdhënieve të “dashurisë së zjarrtë” midis Ramës dhe Melonit, kryeministri i Shqipërisë do ta kishte shumë të lehtë ta neutralizonte një qëndrim të tillë negativ të Italisë. Do të shohim nëse do ta bëjë këtë deri në votimin në Komitetin e Ministrave.
Por nëse Italia do të abstenojë, ose do të votojë kundër në mbledhjen e këtij komiteti, që thuhet se do të mbahet në muajin maj, atëherë duhet thënë me bindje, se qëndrimi anti-Kosovë i Italisë në këtë rast është kërkese eskluzive e kryeministrit të Shqipërisë. Gjithnjë, nëse ndodh kjo, atëherë duhet besuar se Rama dhe Vuçiq vazhdojnë të punojnë për realizimin e marrëveshjes së tetorit 2016 në Nish të Serbisë, marrëveshje e cila obligon kryeministrin Rama të punojë për ndarjen e Kosovës.
Megjithatë, pa u ndalur më gjatë këtu, kalkulimet shkojnë në favor të pranimit përfundimtar të Kosovës në Këshillin e Evropës, pa vendosur kushte. Kjo për shumë arsye. Së pari, sepse në praktikën e pranimeve nuk ka ndodhur që një shtet që ka kaluar filtrin e Asamblesë të refuzohet në Komitetin e Ministrave. Së dyti, sepse nga 46 vende, 28 prej tyre e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por ndërkohë duhet besuar plotësisht se Greqia do të jetë pro pranimit. Dhe pritet që të jetë pro edhe Rumania. Derisa nga shumica e vendeve mos-njohëse deputetët e tyre kanë votuar pro, atëherë duhet besuar se do të ketë shtete, të cilat nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, por që votojnë për pranimin e këtij shteti në KiE.