Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, është dënuar me 55.000 dinarë (469.47 euro) nga Gjykata për Kundërvajtje në Vranjë.
Arsyeja e këtij dënimi, sipas Arifit, është vendosja e Flamurit Kombëtar në selinë e partisë të cilën e drejtoi deri në muajin shkurt, Alternativa për Ndryshim — dega Bujanoc, me rastin e festës së 28 nëntorit, ditës së Flamurit.
“Gjykata në fjalë ka nxjerrë AKTVENDIM lidhur me vendosjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar në selinë e partisë tonë në Bujanoc, me ç’rast ky dënim përbëhet prej 5000 dinarëve ndaj meje si person përgjegjës në pozitën e kryetarit të partisë ‘Alternativa për Ndryshim’, ndërkaq 50.000 dinarë për subjektin politik që kam drejtuar deri në shkurt të këtij viti, kur është datuar edhe ky aktvendim”, ka thënë Arifi në një njoftim në Facebook.
Ky aktvendim, sipas kreut të Preshevës, “është pjesë e kolazhit diskriminues dhe shkeljeve të drejtave sistematike individuale, kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.
Më tej, ai lëshoi kritika ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se derisa përgatitjet e saj “janë në fazën finale për themelimin e ashtuquajturës ‘Asociacioni i komunave me shumicë serbe — Zajednica’ me kompetenca të plota ekzekutive, shqiptarëve në Luginën e Preshevës i mohohen të drejtat elementare njerëzore siç është vendosja flamurit kombëtar”.
“Hapat e regresit të të drejtave të minoritetit shqiptar në Serbi kanë një funksion divergjence me të drejtat e minoriteve serbe në Republikën e Kosovës. Sa më shumë të drejta për serbet në Kosovë aq më pak të drejta për shqiptarët në Serbi”.
“Deri kur?”, përfundoi kreu i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.