Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Merre armën, ose unë ty ose ti mu” – Dosja për mërgimtaren nga Zvicra që kërcënoi ish të fejuarin në Viti

 
   

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Shpeshherë për çiftet që vendosin t’i ndajnë rrugët telashet nuk marrin fund as me shkurorëzim. Konfliktet e tilla eskalojnë edhe në kanosje, dhunë psikike e fizike. Për një rast të tillë që u denoncua para dy ditësh nga një burrë në Viti, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet.

Viktima e ka denoncuar në Polici ish të fejuarën e tij, mërgimtare nga Zvicra, të cilën e raportoi se e ka kërcënuar seriozisht, si pasojë e raporteve të acaruara mes tyre. E dyshuara është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, kurse tash ndaj saj është kërkuar të caktohet masa e paraburgimit.

Media ka siguruar dosjen për këtë rast dhe sjellë detajet e incidentit.

Rasti është raportuar mbrëmjen e 18 prillit, kur i dyshuari kërkoi ndihmën e Policisë, ku deklaroi se ish e fejuara i kishte dërguar mesazhe kërcënuese, duke i shkaktuar shqetësim e frikë.

Burimet e medias kanë bërë me dije se e dyshuara për rastin është A.Vranovci, 25-vjeçare, e cila po hetohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan për dy vepra penale “Kanosja” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Vranovci po dyshohet se me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe të ankthit, me dashje e ka kanosur seriozisht burrin me të cilin ka bashkëjetuar një kohë.

25-vjeçarja po dyshohet se  i kishte shkruar ish të fejuarit në njërin nga rrjetet sociale, ku mes tjerash i ka thënë se “tash po vi, mere një armë dhe plumbin, ja ti m’rrok mu, ja unë ty. Kush m’del përpara, i madh e i vogël përtokë kom mi shtri edhe njo ka njo kam mi rrokë.”

Përballë kësaj situate, viktima e kishte denoncuar në Polici dhe si rezultat, të enjten në mbrëmje, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarën.  

Siç mëson Sinjali, gjatë kontrollit policor, te e njëjta, zyrtarët policorë kanë gjetur një sasi e substancës narkotike, e llojit marihuanë, për çka është iniciuar rasti edhe për këtë vepër penale.

E njëjta është dërguar në mbajtje dhe brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë, nën dyshimet se ka kryer veprat në fjalë, për është vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.

Në arsyetimin e Prokurorisë thuhet se dyshimi i bazuar mbështetet në të gjitha provat materiale të siguruara deri më tani, deklaratat e palëve, komunikimi mes tyre, raportet e Policisë, si dhe shkresat e tjera.

Prokuroria ka vlerësuar po ashtu se e dyshuara duhet të dërgohet në paraburgim edhe për faktin që e njëjta mund të arratiset, pasi është shtetase e Zvicrës dhe nëse lihet e lirë, mund të largohet nga Kosova, rrjedhimisht të pengojë zhvillimin e hetimit.

Po ashtu njëra nga bazat ligjore që sipas Prokurorisë përmbushet për të caktuar këtë masë është mundësia e ndikimit të të dyshuarës në dëshmitarë apo te viktima, me të cilin kanë qenë të fejuar dhe kanë bashkëjetuar në Zvicër.

Duke marrë parasysh edhe raportet mes dy palëve, Prokurori ka vlerësuar se mund të ketë dyshime se e dyshuara ka rrezik se mund të kryejë ndonjë vepër tjetër penale me pasoja edhe më të rënda.

Prandaj, Prokurori i Shtetit ka propozuar që gjyqtari i procedurës paraprake pas seancës dëgjimore t’i shqiptojë të dyshuarës masën e paraburgimit si masë për të siguruar prezencën e të dyshuarës në procedurë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.