Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut thotë se nuk pati ndryshime domethënëse gjatë vitit 2023 për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera.
Raporti i Departamentit të Shtetit thotë se qeveria e Kosovës ndërmori hapa të besueshëm, por jo të vazhdueshëm për të identifikuar, hetuar, akuzuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë abuzuar me të drejtat e njeriut.
Raporti vë në dukje se qeveria serbe vazhdoi të mbajë struktura të paligjshme paralele të qeverisjes në zonat me shumicë serbe dhe se i përdor këto struktura për të influencuar këto komunitete dhe përfaqësuesit e tyre politikë.
DHUNA ME BAZË GJINORE DHE TË DREJTAT E GRAVE
Dhuna me bazë gjinore njihet në legjislacion si formë diskriminimi, por mungon një përkufizim i saj për t’u përdorur në proceset penale dhe civile. Përdhunimi dhe dhuna në familje njihen si vepra penale, por qeveria nuk e zbatoi ligjin me efektshmëri. EULEX-i vuri në dukje se gjykatat shpesh japin ndëshkime më të lehta se minimumi i parashikuar dhe agjencitë e zbatimit të ligjit rrallë morën masa për të mbrojtur të mbijetuarit dhe dëshmitarët.
Vazhdojnë të jenë të pakta gratë në funksione drejtuese në biznese, në polici, apo në qeverinë e Kosovës dhe në përgjithësi vetëm një në pesë gra gjendet në tregun e punës.
DISKRIMINIMI NDAJ PAKICAVE ETNIKE
Diskriminimi me bazë racore apo etnike ndalohet nga kushtetuta e Kosovës, por vazhduan raportimet për dhunë dhe diskriminim ndaj grupeve të pakicave etnike. Sipas Avokatit të Popullit pati probleme në zbatimin e plotë dhe të efektshëm të ligjeve, si dhe mangësi në kapacitetet institucionale. Dhuna shoqërore, në veçanti diskriminimi në punësim, vazhdoi ndaj serbëve të Kosovës dhe grupeve të tjera të pakicave etnike. Grupet e pakicave u përballën me diskriminim të niveleve të ndryshme në arsim, shërbime sociale, përdorimin e gjuhës, lirinë e lëvizjes dhe të drejta të tjera të garantuara me ligj.