Nuk ka dyshim se bojkotimi i votimit më 21 prill, për largimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ishte “i suksesshëm”, por lind pyetja se kush fitoi e kush humbi?
Pas mbylljes së vendvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstatoi se procesi ka dështuar.
Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar thanë se “është treguar një shkallë e lartë e unitetit të serbëve në Kosovë”, ndërsa Prishtina tha se “i ka përmbushur obligimet e saj”.
Ky votim është dashur të jetë hapi i fundit drejt shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në komunat me shumicë serbe në veri dhe shtensionimit të situatës atje.
Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, kryetarët shqiptarë erdhën në krye të komunave në maj të vitit të kaluar, për shkak se serbët, edhe atëherë, i bojkotuan zgjedhjet me ftesë të Listës Serbe – partisë udhëheqëse të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Kriza disamujore e krijuar asokohe ishte arsyeja përse bashkësia ndërkombëtare ushtroi presion mbi Kosovën për të filluar me organizimin e zgjedhjeve të reja, si dhe ndaj përfaqësuesve politikë të serbëve që të merrnin pjesë në një proces të tillë.
Tani duket se gjithçka është kthyer në pikën e fillimit – kryetarët shqiptarë, të cilët nuk pranohen nga popullata shumicë serbe në veri të Kosovës, mbeten në pushtet.
Humbësit dhe fituesit pas bojkotit të votimit
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, vlerëson se nuk ka fitues pas votimit të dështuar për largimin e kryetarëve shqiptarë. Sipas tij, komuniteti shumicë serb është në humbje.
“Është paradoksale që komunitetet joshumicë të kujdesen për shumicën”, thotë Uglanin, i cili ka qenë i përfshirë në punën e Komunës së Mitrovicës së Veriut që nga themelimi i saj në vitin 2013.
Votimi për largimin e kryetarëve shqiptarë në komunat e veriut është organizuar në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës dhe për të qenë i suksesshëm është dashur të plotësohet opsioni “Po” nga 50 për qind plus një votues.
Megjithatë, nga rreth 46 mijë zgjedhës të regjistruar, të drejtën e votës e kanë ushtruar vetëm rreth 250 persona.
Për Aleksandar Stojanoviqin nga organizata joqeveritare Qendra për zhvillimin e mjediseve lokale, “të gjithë janë humbës” pas votimit të 21 prillit.
“Që një shoqëri të funksionojë, duhet të ketë një konsensus shoqëror. Shoqëria civile ka bërë thirrje një kohë të gjatë që të fillojë një dialog i përgjithshëm brenda shoqërisë kosovare dhe ndërmjet aktorëve të ndryshëm politikë, në mënyrë që shoqëria të arrijë një konsensus dhe, në fund, të pajtohet për veprime të sinkronizuara, kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme”, thotë Stojanoviq për Radion Evropa e Lirë.
Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, konsideron se bojkotimi i votimit nuk i solli asgjë të mirë komunitetit serb.
“Humbësi kryesor në të gjithë këtë është komuniteti serb që jeton në ato katër komuna, sepse ata [qytetarët] tash nuk i kanë përfaqësuesit e tyre legjitimë”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Demhasajt, fitues është presidenti i Serbisë, Alekasandar Vuçiq. Bojkotimi i votimit, shton ai, tregon se komuniteti serb, i cili jeton në katër komunat në veri të Kosovës, është i dirigjuar nga politikat e Vuçiqit.
“Kjo mendoj se ndikon negativisht te ta, për shkak se për komunitetin serb është më mirë që të dalë e të votojë dhe t’i zgjedhë përfaqësuesit e tij legjitimë, sesa të mbetet kështu i bllokuar, siç ka mbetur aktualisht”, thotë Demhasaj.
Si erdhi deri te bojkotimi?
Votimit për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave i ka paraprirë mbledhja e nënshkrimeve në kuadër të peticionit, që është mbështetur nga Lista Serbe.
Rreth dhjetë ditë para votimit, kjo parti ka njoftuar se tërhiqet nga i gjithë procesi, me arsyetimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që ai të mos ketë sukses”.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, ka thënë se, sipas të dhënave zyrtare, në veri të Kosovës janë rreth 46.000 votues me të drejtë vote, por se situata në terren është ndryshe, sepse, në muajt e fundit, “rreth 15 për qind e serbëve janë zhvendosur”.
Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje Listës Serbe që “të mos përhapë informata të rreme, të mos mashtrojë opinionin dhe të mos bëjë presion ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në komunat në veri”.
Gjithashtu, bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Listës Serbe dhe përfaqësuesve tjerë politikë të serbëve që ta rishqyrtojnë vendimin e tyre.
Çfarë thonë qytetarët?
Branko Baroviq, nga Mitrovica e Veriut, thotë se serbët nga veriu e kanë dëgjuar gjithmonë “shtetin e tyre – Serbinë” dhe se votimi i 21 prillit ishte një “mashtrim” nga autoritetet e Kosovës.
“Pjesëmarrja është dashur të jetë 50 për qind plus një votë. Edhe sikur të dilnim të gjithë, do të humbnim. Qyteti ishte mbushur me tyta të gjata [v.j.policë]… ndërsa njerëz nuk kishte”, thotë ai.
Millan Dimiq, po ashtu nga Mitrovica e Veriut, beson se votimi nuk do të ndryshonte asgjë dhe se do të gjendej mënyra që kryetarët shqiptarë të mbeteshin në pushtet.
“Na duhet të durojmë edhe pak, por mbase do të bëhet më mirë”, thotë ai.
“Në katër komunat në veri jeton popullata serbe. Ata [kryetarët shqiptarë] nuk mund të jenë aty, nuk kanë asnjë bashkëpunim me popullin”, thotë Stefani, po ashtu nga Mitrovica e Veriut.
Mirkoja nga Leposaviqi thotë se serbët i dëgjuan përfaqësuesit e tyre politikë dhe iu përgjigjën thirrjes për bojkotim.
“Njerëzit shkojnë në komunë vetëm nëse u duhet të marrin letra dhe kjo funksionon tani për tani. Por, duhet të ketë zgjedhje, që në komunë të jenë ata që zgjidhen nga populli dhe jo dikush i emëruar nga Kurti”, thotë ai.
Bashkëpunimi i mëtejshëm mes qytetarëve dhe autoriteteve lokale
Ranko Krivokapiq, banor i Mitrovicës së Veriut, thekson se nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë bashkëpunim mes serbëve dhe autoriteteve lokale aktuale.
“Gjithçka që ata bënë vitin e kaluar, ishte në dëm dhe kundër interesave të popullit serb”, thotë Krivokapiq.
Uglanin thotë se Kuvendi i Komunës do të vazhdojë punën e tij dhe se do t’i përfaqësojë interesat e të gjitha komuniteteve, duke promovuar bashkëjetesën.
Megjithatë, ai thekson se në terren ekzistojnë probleme politike.
“Qytetarët janë shndërruar në marioneta klasike për thellimin e krizës politike”, thotë ai dhe shton se “nuk ka udhërrëfyes” se në cilin drejtim do të lëvizin marrëdhëniet mes komunitetit serb dhe pushtetit vendor.
Stojanoviq, nga Qendra për zhvillimin e mjediseve lokale, beson se komuniteti lokal i serbëve mund të bashkëpunojë me autoritetet komunale në veri të Kosovës në një “formë të cunguar”.
“Për momentin, vetë komunat nuk kanë as kapacitete personeli për të mundësuar funksionimin e duhur të tyre në të gjitha fushat. Ky është problemi më i madh esencial. Komunat nuk funksionojnë me kapacitet të plotë, prandaj nuk mund të jenë në shërbim të qytetarëve”, thotë Stojanoviq.
Në nëntor të vitit 2022, me iniciativën e Listës Serbe, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit, duke përfshirë edhe administratën lokale. Pas ardhjes në pushtet të kryetarëve shqiptarë, nisi edhe punësimi i punëtorëve të rinj, por sektori civil thekson se ato administrata nuk janë ende funksionale.
Më herët, këtë e ka konfirmuar për REL-in edhe drejtori aktual i Departamentit për Sport, Rini dhe Kulturë në Komunën e Leposaviqit, Nenad Radosavleviq.
“Nuk kemi njerëz të kualifikuar për shpalljen e procedurave të tenderit… Kemi problem, po punësojmë njerëz nga komunat tjera, por kjo nuk do të vazhdojë gjatë nëse nuk reagon Qeveria e Kosovës”, ka thënë Radosavleviq./REL