Gjatë javës së kaluar, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi me shumicë dërmuese të votave të saj që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota në këtë këshill. Votuan pro anëtarësimit edhe deputetë të kësaj asambleje nga Greqia, Rumania, Spanja, Ukraina dhe vende të tjera, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Por, votuan kundër jo pak deputetë të Italisë dhe Francës, si edhe ndonjë deputet i ndonjë vendi tjetër që e ka njohur Kosovën e lirë e të pavarur.
Tani Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plotë në Këshillin e Evropës, pas votimit mbështes që mori në asamblenë parlamentare nga 131 deputetë në një seancë ku diskutua më shumë se dy orë dhe ku u rrëzuan të gjitha amendamentet e Serbisë që kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës.
Kushte të reja?
Por shqetësuese po i quan votat e Francës dhe Italisë profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.
“Kjo për mua është shqetësuese. Çfarë e gjeti Italinë, deputetë të së cilës i takojnë koalicionit qeverisës dhe njëkohësisht abstenuan ose votuan kundër?! Sepse nga Franca ata deputetë i përkasin kryesisht ekstremit të djathtë të Le Penit. Unë besoj se Italia është nxitur nga dikush për këtë qëndrim dhe dyshoj se ministri i Jashtëm i saj do të votojë pro anëtarësimit të Kosovës. Për mua nxitja ka ardhur nga Tirana zyrtare, tashmë e dashuruar me qeverinë e Melonit. Kjo do të thotë se Tirana dhe Roma janë bërë bashkë që të plotësohet kërkesa e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Nuk e di se cili do të jetë qëndrimi i qeverisë së Francës. Por nuk duhet pasur shumë shpresë pas vizitës së Vuçiq në Paris dhe biznesit lukrativ të Francës në shitjet për Serbinë”, shprehet Bytyçi.
Bytyçi beson se Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës, si dhe shumë shpejt do ta marr njohjen edhe nga Greqia.
“Megjithatë, raportuesja në Asamble, Bora Bakojanis, e cila ka qenë shefe e diplomacisë së Greqisë dhe është motra e kryeministrit grek, Micotaqis, dha shpresa se në mesin e muajit maj Komiteti i Ministrave do të votojë pozitivisht për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ky është një lajm i mirë. Ish-ministrja e Jashtme e Greqisë dhe raportuesja virtuoze për Kosovën në KIE, pra Bakojanis, në intervistën e sotme dha edhe një sinjal tjetër pozitiv, kur tha se “Pavarësia e Kosovës nuk ndikon e nuk lidhet me rastin e Qipros”! Kjo do të thotë se motra e kryeministrit grek po paralajmëron njohjen e shtetit të Kosovës e madje po thotë se “këtë do ta bëjë edhe Qipro”! Nuk kishte si të ndodhte ndryshe pas fyerjeve që iu bënë asaj nga deputetët serbë në Asamble”, thekson Bytyçi.
Enver Bytyçi.
Por a mund t’i vendoset Asociacioni si kusht i ri Kosovës për tu pranuar në Këshillin e Evropës?
“Ndërkohë nuk dua të revokoj apriori konstatimin e diplomatit të njohur, Lulzim Peci, i cili, po paralajmëroi se vendimi Komitetit të Ministrave nuk do të jetë pozitiv, nëse qeveria e Kosovës nuk e dërgon projektin e Asociacionit për verifikim në Gjykatën Kushtetuese. Italia këmbënguli në Asamble dhe Komitetin Politik që të vendosej si parakusht pikërisht Asociacioni. Ajo është edhe pjesë e QUINT-it dhe zërat se në këtë formacion pesë vendesh ka mosmarrëveshje lidhur me kushtëzimet për pranimin e Kosovës në KiE duket se ishin të saktë. A do të vazhdojnë këto vende të vendosen kushte shtesë për pranim në muajin maj? Apo ndoshta do ta shtyjnë për vitin tjetër pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, më e rëndësishmja pas OKB-së? Gjithçka mund të ndodhë”, deklaron Bytyçi.
“Por unë besoj se me 15 apo 16 maj, kur mblidhen ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës, Kosova do të bëhet përfundimisht pjesë e këtij këshilli, sepse nuk ka ndodhur ndonjëherë që vendimi për pranim i Asamblesë të refuzohet nga ana e Komitetit të Ministrave. Nga ana tjetër raporti i Bakojanis argumenton se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është njëkohësisht obligim për zbatimin e marrëveshjeve e njëkohësisht është një premisë shumë e mirë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, sidomos të pakicave etnike e në veçanti, të serbëve që ankohen kundër shqiptarëve edhe kur shkaktojnë plagë në vetëkënaqësi personale nga shishet e thyera”, shpjegon profesor Bytyçi.
Bytyçi shprehet se Kosova gjendet para të papriturave të mëdha, dhe se anëtarësimi i plotë varet nga qëndrimi që do ta mbaj edhe SHBA.
“Ndonëse Bakojanis ishte optimiste për marrjen e vendimit përfundimtar në muajin maj, unë mbetem ende skeptik. Parimisht besoj fort se vendimi i Asamblesë është detyrim për Komitetin e Ministrave. Pra se në mbledhjen e ardhshme të këtij komiteti do të merret vendim pozitiv. Megjithatë ne jemi para të papriturave të shumta. Është fat që Serbia po reagon me ashpërsi dhe po i kujton Evropës dhe SHBA-ve periudhën e diktatorit dhe kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milosheviç. Është gjithashtu fat që Serbia po reagon në mënyrën që duam ne shqiptarët për rezolutën që pritet të miratohet në OKB për ta shpallur datën e 11 korrikut si dita e gjenocidit, duke shënuar një njollë të zezë të përjetshme për Serbinë. Me reagimin e tij, Beogradi po jep më shumë shanse që Kosova të jetë e të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës”.
“Por ka mundësi që këto presione të Serbisë të lëkundin ndonjë prej vendeve kryesore të Evropës. Personalisht nuk e di se çfarë qëndrimi do të mbajnë njëkohësisht amerikanët, të cilët kanë ndikim në votën e disa vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Ne e dimë se Escobar ka kërkuar Asociacionin në këmbim të pranimit të Kosovës në Këshill. Por a është administrata amerikane në këtë linjë aktualisht, pas vendimit të Asamblesë. Akoma nuk e kemi mësuar! Prandaj gjykoj se ka shumë për të mësuar në dy javët e ardhshme. Megjithatë Kosova duhet të përgatitet e të punojë fort. Kryesore është që të evitojë çdo provokim të Serbisë me pasoja, përmes të cilave akuzohet Kosova”, përfundon profesor Enver Bytyçi.
Asociacioni, kusht për Kosovën
Kurse, gazetari dhe anëtari i Shoqërisë Civile në Deçan, Adem Lushaj shprehet se Kosovës në vazhdimësi anëtarësimi nëpër organizata ndërkombëtare po i kushtëzohet.
Adem Lushaj
“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në të gjitha organizmat ndërkombëtare duhet të jetë prioritet i çdo qeverie apo institucioni. Edhe pranimi në Këshillin e Evropës është i rëndësisë së madhe, por ky anëtarësim është duke u bërë me kushtëzimet dhe ndëshkimet ndaj qytetarëve të Kosovës”, thekson Lushaj.
“Nëse vlerësohet se Kosova po fiton karshi Serbisë në këtë drejtim, është mashtrim i qytetarëve sepse Kosova është duke humbur territore siç është rasti me Debellde, demarkacioni me Malin e Zi, tokat e Deçanit, e duke mos ditur se çfarë do të ndodhë me komunat veriore”, deklaron Lushaj.
Ai thotë se Kosovës do t’i vendoset kusht Asociacioni, detyrim të cilin sipas tij, e ka marr qeveria Kurti.
“Me vendimin e fundit të deputetëve evropian për anëtarësim në Këshill të Evropës, Qeveria e Kosovës detyrimisht ka marrë përgjegjësinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Mendimi ynë është se çdo anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtare do kushtëzohet me favore për Serbinë”, përfundon Adem Lushaj për “Bota sot”.