Kryeministri Edi Rama sulmoi sot ashpër emisionin investigativ “Report” të RAI 3 ku trajtohej marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ndër të tjera, Rama tha se nga ky emision u prodhua “shpifja më skandaloze për Shqipërinë”.
Në një intervistë për TCH, Rama u ankua se emisioni “Report” kishte censuruar sekretarin e tij të përgjithshëm Engjëll Agaçi duke mos publikuar përgjigjet e tij të dërguara me shkrim për gazetarin italian Giorgio Mottola.
Këtyre akuzave të Ramës u është përgjigjur drejtuesi i emisionit Report, Sigfrido Ranucci.
Në një reagim në profilin e tij në Facebook ai thotë se të dielën e ardhshme do të ketë sërish vëmendje për Shqipërinë.
Ranucci thotë se në këtë puntatë do të transmetohen edhe përgjigjet e Agaçit që sipas tij konfirmojnë se ka qenë avokat i narkotrafikantëvem ndërsa thekson emisioni do t’i kthehet sërish çështjes së emigrantëve të dielën e ardhshme.
“Report përgjigjet se Agaçi në përgjigjet e tij me shkrim për korrespondentin tonë Giorgio Mottola, të cilat do të publikohen në profilin e Report, ka konfirmuar se ka qenë avokat i disa trafikantëve të drogës dhe se ka bashkëpunuar në hartimin e protokollit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. I detyrohesha shumë në emër të së vërtetës. Ne do t’i kthehemi çështjes së emigrantëve të dielën e ardhshme. Emisioni transmetohet çdo të diel në Rai3 në orën 20:55”, shkruan gazetari italian.