Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shumica e vendeve të BE-së, pro heqjes së masave ndaj Kosovës

Bashkimi Evropian i është afruar heqjes së masave kufizuese ndaj Kosovës, të vendosura para një viti nga ana e Komisionit Evropian, si pasojë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.

Masat përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

Radio Evropa e Lirë nga disa burime diplomatike në BE mëson se shumica dërmuese e vendeve anëtare janë në favor të heqjes së të gjitha masave, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.Kundër heqjes së masave, sipas këtyre burimeve, nuk është shprehur asnjë vend anëtar i BE-së.

Kjo përshtypje është vërejtur në diskutimin e fundit që është zhvilluar në BE të martën mbrëma për situatën aktuale në Kosovë. Diskutimi është bërë në Komitetin për politikë edhe siguri të BE-së (PSC) ku janë ambasadorët e 27 vendeve anëtare.

“Shumica e vendeve anëtare duan që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës, por janë disa vende, në mesin e tyre edhe tri vendet e QUINT-it (Gjermania, Franca dhe Italia) që duan heqjen graduale të masave ndaj Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një burim diplomatikë i BE-së.Të njëjtat burime kanë thënë se edhe Shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së (EEAS) është në favor të heqjes së masave ndaj Kosovës, por hezitim deri tash ka pasur më shumë nga Komisioni Evropian, ku ndikim të madh ka komisionari për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi.

Gjatë diskutimeve të fundit është folur për hapat që ka ndërmarrë Kosova për të përmbushur kushtet për heqjen e masave, por edhe për hapat që, sipas raportuesve që kanë folur, akoma nuk janë përmbushur në tërësi. Për situatën aktuale në Kosovë para përfaqësuesve të vendeve anëtare kanë folur dy të dërguar të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, si i dërguar i posaçëm për dialog dhe Tomas Sonyong, i cili është i dërguar i posaçëm për Kosovë dhe shef i zyrës së BE-së në Kosovë.Ata kanë thënë se situata ende është e tensionuar dhe se problemet e shkaktuara në veri nuk janë tejkaluar as pas mundësisë ofruar serbëve në katër komuna në veri për të votuar për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.