Anëtari i Fondit për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, ka thënë se dy maji nuk do të jetë dita kur në Kombet e Bashkuara do të votohet rezoluta e propozuar nga Gjermania dhe Ruanda, e cila do ta shpallte 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Alija tha se arsyetimi për shtyrje të votimi ka qenë që shtetet anëtare duhet ta rishikojnë edhe një herë tekstin që është propozuar të votohet.
“Por besoj se kjo nuk do të merr shumë kohë dhe prapë do të kthehet në agjendë për t’u votuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”.
“Vet fakti që Kombet e Bashkuara e kanë krijuar Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi dhe vet fakti që ky tribunal i ka vërtetuar krimet si gjenocidi që ka ndodhur në Srebrenicë, do të ishte jo e logjikshme që po ky organ të mos ia aprovonte ato fakte”, tha ai në “Edicioni Special”.
Tutje, Alija tha se Kombet e Bashkuara bashkë me shumicën e shteteve anëtare do ta përkrahin rezolutën e propozuar nga Gjermania dhe Ruanda.
“Ne e kemi parë këtë fushatë kundërshtuese nga Serbia dhe nga Republika Srpska dhe kjo tregon se ata nuk janë të gatshëm që të bashkëjetojnë me popujt në rajon dhe ata po vazhdojnë retorikën e cila nuk sjell pajtim në këtë rajon dhe ata do t’i shfrytëzojnë marrëdhëniet e mira që i kanë me Rusinë dhe Kinën dhe do të provojnë që kjo rezolutë të mos kalojë”, tha ai.