Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për mbrojtjen e duhur për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjendet në paraburgim në Hagë.
Në njoftimin e Fondacionit, thuhet se mbështetja financiare është e nevojshme për një mbrojtje të mirëfilltë juridike.
“Në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë në Hagë, Hashim Thaçit i duhet përkrahja juaj! Ndihmoni edhe ju për t’i siguruar mbështetje financiare që i mundëson mbrojtje të mirëfilltë juridike”, thuhet në njoftim.
Për këtë lajm ka reaguar Luan Gacaferi, anëtar i kryesisë së partisë Guxo.
Ai ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-presidentit, duke thënë se nëse është i pafajshëm, atij nuk i duhet avokat, përcjell Bota sot.
“Lajmi fundit: “Kërkohet ndihma e qytetarëve për të siguruar një mbrojtje të mirëfilltë për Hashim Thaçin”
1. Le t’i shes villat që i ndërtoi me para të vjedhura nga buxheti i shtetit!
2. Le t’ja kërkojë Veselinoviqit, Radojqiçit e të tjerëve qe ka bo bisnese me ta!
3. Le t’ua kërkojë borxhet që ua dha deputetëve të LDK’së, e qe nuk janë shuma të vogla, por fillojnë nga 200 mijë euro e përpjetë!
4. Le ta ndihmojnë deputetet e PDK’së, sepse secili prej tyre i ka nga 3 – 4 milionë euro, e edhe Xhavit Haliti, po!
5. Le ta shet vilën e vet, se vetëm aty i ka mbi 1 milion euro vlerë!
6. Le t’ju drejtohet vëllezërve të vet, që nuk ia dijnë skajin parave e pasurisë!
7. Le t’ja kërkojë Devollëve, se edhe ashtu paratë e tij janë!
8. Kush e din që është i pafajshëm, s’ka nevojë për avokatët”, ka shkruar Gacaferi në një postim në Facebook./Botasot