Grupi libanez Hezbollah njoftoi se sot shënjestroi dy pozicione ushtarake në veri të Izraelit në përgjigje të sulmeve ndaj “shtëpive të civilëve në pjesën jugore të Libanit”, ku tre persona, duke përfshirë dy pjesëtarë të organizatës së lidhur me Iranin vdiqën mbrëmë.
Hezbollahu “kreu një sulm kompleks, duke përdorur dronë shpërthyes dhe raketa të drejtuara, në selinë e komandës ushtarake Al-Manar dhe në mbledhjen e forcave të batalionit 51 të brigadës Golani”, tha lëvizja islamike libaneze në një deklaratë.
Ushtria izraelite IDF në një deklaratë të shtunën në mbrëmje ka bërë të ditur se Sistemi i Mbrojtjes Ajrore Iron Dome kapi një objektiv të dyshimtë ajror që kaloi nga Libani në zonën e Menara në Izraelin verior.
Gjithashtu, u identifikuan shumë raketa antitank të lëshuara nga Libani duke lëvizur drejt zonës së Menarës. IDF goditi burimet e zjarrit antitank.
Më herët të shtunën, avionët e Forcave Ajrore të Izraelit goditën një strukturë ushtarake të Hezbollahut në zonën Qouzah në Libanin jugor, sipas Jerusalem Post.
Qe nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe lëvizjes palestineze Hamas në Rripin e Gazës më 7 tetor, ka pasur një shkëmbim zjarri të përditshëm midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut, i cili mbështet lëvizjen islamike palestineze.
Hezbollahu pro-iranian, i cili ka një arsenal raketash precize, synon pozicionet dhe vendndodhjet ushtarake izraelite pranë kufirit, dhe Izraeli përgjigjet duke bombarduar objektiva në territorin libanez, kryesisht në jug, duke përfshirë sulme në shënjestër ndaj zyrtarëve të Hezbollahut dhe Hamasit.
Konfliktet janë intensifikuar gjatë kësaj jave, pasi Izraeli sulmoi territorin libanez dhe Hezbollahu u përgjigj me sulme në veri të vendit./kp