Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, është optimiste se do të bëhet votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në mbledhjen e muajit maj të Komitetit të Ministrave të Punëve të Jashtëm të KiE-së. Pavarësisht trysnisë së aleatëve ndërkombëtar për nisjen e procedurave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Tahiri thotë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se Asociacioni nuk duhet të jetë kusht për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.
Tahiri për KosovaPress, flet edhe për dialogun me Serbinë, mundësitë që ish-presidenti slloven, Borut Pahor të jetë përfaqësues i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.
Tahiri: Pres që të bëhet votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës
“Pres që të bëhet votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Votat për Kosovën kanë ekzistuar që nga koha kur ne kemi qenë në qeveri, por arsyeja që s’ka përparuar procesi është se Rusia ka qenë anëtare dhe pengonte. Por siç e dini Rusia braktisi Këshillin e Evropës dhe u hap dera, ku Serbia s’ka më fuqi. Së fundja merret vendim me shumicë dhe nuk është sikur në BE që me konsensus. Unë pres që të anëtarësohemi. Dua të theksoj se Asociacioni nuk është kusht për anëtarësim, Kosova i ka plotësuar kriteret dhe mos të bëhen veprime të pamatura…Letra është pas anëtarësimit. Pastaj qeveria ka obligim t’i zbatojë marrëveshjet që i ka arritur në Bruksel. Kurti është shumë populsitë ka qenë kundër Asociacionit dhe ka ardh në pushtet duke kundërshtuar Asociacionin. Tash çka bëjnë është puna e tyre”, thotë ajo.
Ish-zëvendëskryeministrja Tahiri, thotë se dialogu aktual i Brukselit ka vdekur, pasi s’po zbatohet Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Tahiri: Dialogu i Brukselit ka vdekur
“Dialogu i Brukselit ka vdekur. Vet fakti që prej vitit të kaluar, marrëveshjes së Ohrit s’ka pasur asnjë zbatim, kjo i bie që dialogu ka vdekur. Plus këta dy ndërmjetësuesit Borrell dhe Lajçak u shkarkuan më herët, atëherë kur dialogu kalojë në duart e të mëdhenjve, kancelarit Scholz, presidentit Macron dhe kryeministres Meloni. Këta kanë qenë të shkarkuar por nuk e bënë të njohur, pasi BE-ja kur ka probleme nuk i bënë publike dhe tash pas zgjedhjeve do të vijnë tjerë”, shton Tahiri.
Duke folur për mundësitë që ish-presidenti slloven, Borut Pahor, ajo thotë se ai është politikan serioz dhe se Sllovenia është përkrahëse e Pavarësisë së Kosovës.
Tahiri: Sllovenia përkrahëse e pavarësisë, Pahor është politikan serioz
“Nuk është kohë të analizojmë, por mendoj se Sllovenia ka qenë përkrahëse e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Pahor është një politikan serioz. Fundja ku të shkon si ndërmjetësues ai do të veprojë si përfaqësues i BE-së dhe do të sillet si i tillë”, thekson Tahiri.
Krahas kësaj, Tahiri akuzon kryeministrin Albin Kurti se s’ka zotësi për shtet dhe as për qeverisje.
Tahiri: Kjo qeveri është treguar se s’ka zotësi për shtet dhe as për qeverisje
“Kjo qeveri është treguar se s’ka zotësi për shtet dhe as për qeverisje. E kanë vënë të parën pushtetin dhe nuk janë marrë me shtetin. Aq më keq që prishi marrëdhëniet me Amerikën, dëmtoi interesat shtetërore të Kosovës. Por mirë që amerikanët për një kryeministër nuk i prish aleancën me Kosovën, pasi e kanë pasur këtë aleancë me popullin. Me të mëdhenj e bëjnë aleancën dhe me të vegjël nuk e prishin”, përfundon ajo.