Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kosova kërcënohet me ripushtim, Serbia “përkëdhelet” nga ndërkombëtarët/ Kjo është arsyeja pse për 25 vite u neglizhua çështja e të pagjeturve

 
   

Dje u shënua 27 Prilli – Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur në Kosovë.

Kur kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i më shumë se 1.600 të pagjeturve.

Për juristin Muhamet Kelmendi, të pagjeturit nga Kosova mbetën plagë e madhe për mbarë kombin.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot” ai ka thënë se një ndër dhimbjet më të rënda në Kosovë është mos gjetja e më shumë se 1600 të zhdukurve nga pushteti neofashist serb gjatë viteve 1998/99.

“Kjo është dhimbja që e ndjejnë familjarët, miqtë, shokët dhe gjithë kombi. Lufta për çlirimin e vendit mori shumë jetë. Ishte një luftë e paparashikueshme, por megjithatë shumë krenare dhe lavdishme. Armiku vrau dhe zhduku mijëra shqiptarë. Mbi 1500 ishin fëmijë të mbytur deri në moshën 12 vjeçare. Mbi 20 mijë femra shqiptare u përshkuan. Kosova kaloi kohën më të vështirë në historinë e saj”, shprehet Kelmendi.

Megjithatë, ai rikujton se Serbia nuk u dënua.

“Mbeti në pushtet klika e njëjtë. Kjo klikë nuk kishte për qëllim zgjidhjen e raporteve me Kosovën. Pretendimet e Beogradit mbeten të njëjta si në kohën e neofashistit Milloshëviq”, thotë Kelmendi.

Sipas juristit, nga faktori ndërkombëtar nuk u bë puna e duhur për gjendjen e të zhdukurve.

“Serbia nuk u vu nën presion politik, ekonomik, integrimi dhe ushtarak. Asaj iu hapën portat dhe nga Beogradi vazhdoi politika diskriminuese me synimin ripushtimin e Kosovës. Kosova kërcënohet me ripushtim. Racizmi serb mori sundimin në Beograd. Nga Prishtina nuk u bë presion i duhur mbi ndërkombëtarët. Gjetja e të zhdukurve ishte në fund të radhës së çështjeve. Nuk kishte kushte dhe mungonte vullneti për të angazhuar resurset në këtë çështje. Presioni mbi ndërkombëtarët nuk ishte adekuat. Ata e lanë pas dore punën me shtetin racist serb për gjetjen e të masakruarve dhe të gjakosurve si shtazë nga regjimi cionist serb në varret masive në Serbi”, shprehet ai.

Nga të dhënat e zonjës Sonja Biserko del se edhe 35 varre masive janë në Serbi.

“Këtu punohet pak. Kompetentët në Kosovë janë kapluar nga lufta për pushtet. Nuk u dialogua për të zhdukurit. Nuk u bë presion mbi ndërkombëtarët dhe ata mbi Beogradin për hapjen e varreve masive në Serbi. Serbia kështu vazhdon pa u përgjigjur. Shumë pak kriminelë të luftës janë kapur dhe dënuar për krimet e luftës dhe gjenocidin serb në Kosovë. Madje nuk u vlerësua dhuna dhe masakrat e mbi 15 mijë civilëve, përdhunimet e 20 mijë femrave shqiptare dhe ndjekja e 1 milion shqiptarëve jashtë vendit: si krim gjenocidial për zhdukjen e kombit shqiptar në Kosovë”, potencon ai.

Gjithë kjo sipas Kelmendit është e rëndë. Sipas tij, mbështetja ndërkombëtare që i jepet Serbisë është arsye pse nuk dihet ende asgjë për fatin e 1600 personave të zhdukur.

“Serbia as nuk po merret me këtë çështje. Në Serbi nuk po ndiqen kriminelët. Nuk po ndiqen dhe nuk po hape varret masive. Para botës del se krimineli i luftës Vuçiq dhe tandemi Daçiç sikur shteti serb të kishte qenë i pushtuar. Apo Serbia të ishte në rrezik? Dhe, kjo po i shkon. Kanë mbështetje dhe ndihmë nga lindja dhe perëndimi. Këtu është arsyeja pse nuk gjenden të zhdukurit dhe pse nuk është prioritet, para çështjeve të tjera. Dhe, kjo po vazhdon”, përfundoi Kelmendi.