Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Kodi Civil, LVV: Jemi duke punuar që të sigurohet konsensusi i nevojshëm për miratim

 
   

Lëvizja Vetëvendosje ende po punon në sigurimin e votave për miratimin e Kodit Civil. Partia në pushtet konsideron se për këtë duhet të reflektojnë edhe partitë opozitare. Ndërkaq, këto të fundit thonë se kjo është kompetencë e partisë në pushtet.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja deklaroi se po punojnë për sigurimin e votave për miratimin e Kodit Civil.

Muja: LVV është duke punuar që të sigurohet konsensusi i nevojshëm

Aktualisht nuk e di, por shumica parlamentare është duke punuar po ashtu që të sigurojë konsensusin e nevojshëm brenda grupit parlamentar por marrë parasysh që kjo është një çështje e rëndësishme, të gjitha grupet parlamentare duhet të reflektojnë në këtë prioritet shoqëror. Nuk mund të thuhet që opozita, partitë opozitare mund të abstenojnë, tek e fundit Kodi Civil dhe Kodi Penal janë një nga ligjet ose rregullimet më të rëndësishme në një demokraci parlamentare siç është Kosova…Aktualisht ka kohë që është duke u punuar në sigurimin e votave, sepse duhet të sigurohet kuorumi e pastaj edhe votat pro”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se është përgjegjësi e partisë në pushtet që të sigurojë votat.

Gashi: Ky ligj kalohet me shumicë të thjesht të votave 

“Ky është një ligj që kalohet me shumicë të thjesht të votave të deputetëve dhe është në përgjegjësi të LVV-së që ta kalojë. E kemi thënë qysh herën e parë dhe vazhdojmë ta kemi të njëjtin qëndrim me arsyetimin se LVV për qëllime të përfitimit të pushtetit politik ka arritur që të bëjë marrëveshje dhe koalicione me grupe politike të cilat kanë qëndrime radikale për çështje të caktuar. Është përgjegjësi e LVV-së që të zgjidhë këto probleme”, u shpreh ai.

Miratimi i Kodit Civil, siç thekson deputetja Blerta Deliu Kodra, është kompetencë e pozitës.

Deliu-Kodra: Miratimi i Kodit Civil është kompetencë e LVV-së

“Është kompetencë e shumicës parlamentare, ju keni dëgjuar edhe në të kaluarën edhe ditëve të fundit që është rikthyer diskutimi lidhur me projektkodin edhe nga vet deputetët e mazhorancës. Është çështje e shumicës parlamentare që të deklarohet sepse e dini se tash e sa kohë që PDK nuk merr pjesë në votime, nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare dhe ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje”, deklaroi ajo.

E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se shumica parlamentare e ka dështuar Kodin Civil.

Tahiri: Kemi pasur pozicion kundër dhe kundër jemi

“Shumica e ka bllokuar këtë zbatim. Se çfarë do të ndodhë nuk është përgjegjësi e Aleancës. Aleanca ka marrë vendim për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, e ka rikthyer. Ndërsa, në ligje nuk ka marrë pjesë. Ne kemi pasur pozicion kundër dhe kundër jemi”, përfundoi ai.