Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendimet që lidhen me prokurimin si dhe emërimin e një anëtare në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar Qeveria nuk pyet për ligj apo praktika të mira të vendimmarrjes.
Reagimi i Hotit:
Tenderimet publike: Qeveria emëron anëtaren e Bordit të OSHP-së pa konkurs publik
Në vendimet që lidhen me prokurimin, Qeveria nuk pyet për ligj apo praktika të mira të vendimmarrjes. Siç raportohet nga tri organizata të shoqërisë civile, Qeveria e ka emëruar një anëtare të Bordit të OSHP-së pa konkurs të hapur. Kuvendi e ka miratuar këtë pa asnjë kundërshtim, siç është bërë praktikë.
Disa qeveri me radhë kishin nënshkruar marrëveshje me Ambasadën Britanike, ku bordet dhe udhëheqësit e institucioneve të pavarura përzgjidheshin përmes konkursit publik, pavarësisht se si definohej me ligj. Kjo praktikë e mirë kishte për qëllim zgjedhjen e profesionistëve në këto institucione vitale të shtetit.
Kjo praktikë u hodh poshtë pa asnjë hezitim nga qeveria që ” promovon transparencën dhe drejtësinë”!!!
E vërteta është se: (i) tenderët njëburimorë, (ii) pagesa e avanceve për shpenzime kapitale dhe (iii) mbyllja për publikun e procedurave të prokurimit janë tri problemet kryesore në prokurim gjatë mandatit të kësaj qeverie. Këto probleme potencialisht mund të kushtojnë miliona euro për buxhetin e Kosovës.
Unë pres që Zyra Kombëtare e Auditimit t’i auditojë në detaje të gjitha këto raste dhe t’i prezantojë të gjeturat në raportet audituese për 2023, të cilat duhet të publikohen së shpejti.