Rreziku nga një luftë ngë Serbia në Kosovë po përmendet shpesh nga krerët e shtetit tonë. E, të hënën (29 prill) aktuale këtë temë e bënë zv/kryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla.
Bislimi tha se duhet të bëhemi gati për luftë pasi mund të ketë një sulm nga Serbia, ndërsa Gërvalla deklaroi se shkëmbimi i territoreve sjell luftë në Ballkan. Por, ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, thotë se s’do të ketë luftë, derisa bën thirrje për qetësi dhe jo panik, e po ashtu fton qytetarët që të mos i dëgjojnë shumë deklaratat e tilla të politikanëve.
Ai shton se çdo vend në paqe përgatitet për një luftë të mundshme. “Konsideroj se situata e sigurisë në Kosovë është e brishtë, mirëpo nuk ka elemente të përshkallëzimit të saj në kuptim të një agresioni të mundshëm të Serbisë. Andaj, apeloj te qytetarët që të jenë të qetë, ta jetojnë jetën e tyre normalisht, të zhvillohet ekonomia, të mos i dëgjojnë fort politikanët tanë të cilët çdo të dytën fjalë e kanë fjalën luftë. Po ndërlidhem me deklarimin e fundit të zv/kryeministrimit Bislimi, që thotë se çdo vend duhet të përgatitet për luftë, por ajo është normë që çdo vend që është në paqe përgatitet për luftë potencionalisht të mundshme, edhe Kosova përgatitet, edhe forcat e saj të sigurisë dhe të mbrojtjes. Por një deklaratë e tillë ngjall panik në opinion, sa më pak që përmendet fjala luftë, do të jetë më mirë për qytetarët, por është detyrë e institucioneve që të përgatiten për një mbrojtje të suksesshme, të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit. Sa më pak deklarata të tilla”, thotë ai.
Po ashtu, ai fton që të shkojnë në Ukrainë dhe të shohin çfarë është lufta, ata që duan luftë.
“Nëse ata mendojnë të mbulojnë të bërat apo të pa bërat në aspektin ekonomik dhe në aspektet tjera me luftën, e kanë gabim. Luftë nuk mund të fillojë as Kosova e as Serbia, këtë duhet ta kenë të qartë, sepse në Kosovë është e instaluar NATO, Kosovën e mbron NATO-n, FSK-ja dhe Policia jonë dhe qytetari i Kosovës duhet të jetë i qetë. Nëse ata kanë dëshirë luftë, le të shkojnë ta vizitojnë Ukrainën dhe le ta shohin se çfarë është lufta, ajo është për njerëzit që duan, ne qytetarët e Kosovës nuk duam luftë por në rast të një agresioni të mundshëm ne do të mbrohemi, por jo çdo ditë ‘luftë, luftë, luftë’,…kjo po shkakton panik jashtëzakonisht të madh në popullatë. Pra, për qëllime elektorale dhe për sfera të tjera që nuk janë të suksesshëm”, thekson ish koloneli i FSK-së për Gazeta Blic.Ai nuk e përjashton mundësinë e një sulmi të ngjashëm me atë të Banjskës, por thotë se mund të mbrohemi dhe se ata që futen në Kosovën ose do të asgjësohen ose do të arrestohen.
“Ka gjasa që të kemi një skenar të ngjashëm të Banjskës, kjo nuk duhet të përjashtohet, por kjo nuk duhet të thuhet shumë në opinion, nuk duhet të përmendet as kjo sepse shkakton panik, edhe pse është e përmasave më të vogla. Kosova është e gatshme të mbrojë vetveten me NATO-n së bashku, me SHBA-të, Britaninë, Turqinë, forcat tona ushtarake dhe policore, ne do ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Nëse ata tentojnë diçka të tillë siç po paralajmërohet, shkruhet e thuhet, ne jemi këtu, ne do ta mbrojmë vendin, ata nuk do ta kenë guximin, nëse ata e kanë guximin, ose do të asgjësohen fizikisht, ose do të arrestohen. Pra, njësiti paramilitar i tyre sipas informatave që po i ushtrojnë njësiti Kobra si njësi elitare e Serbisë, po në rregull, neve forcat tona të FSK-së dhe policisë i trajnojnë SHBA-të e Britania, pra është një diskrepancë e madhe mes njësive tona dhe njësive të tyre në kuptimin pozitiv për forcat tona”, potencon Veseli.
Sipas tij, Vuçiq nuk guxon që ta mësyjë ushtrinë në Kosovë sepse ka frikë NATO-n dhe nëse e bën këtë, ai do të ketë fat të keq.
“Ai e merr shumë parasysh NATO-n dhe kurrë s’do ta ketë guximin që ta mësyjë ushtrinë e tij brenda territorit të Kosovës, krejt kjo është për një konsum të brendshëm. Ai është një tiran, një mafioz, një kriminel lufte dhe ai e ka ushqyer popullin e vet me nacionalizëm dhe shovizinëm. Në momentin kur Kosova ecën politikisht përpara dhe arrihet marrëveshja e paqes me të atë do ta pret një fat i keq, ose do të vritet nga serbët, nga populli i vet, ose do të burgoset për të bërat çfarë i ka bërë Serbisë që sa vite”, deklaron ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli.