Një aksident i rëndë ka ndodhur në vendin e quajtur “Ish-rezervat e shtetit” në Kombinat të Beratit. Një automjet ka përplasur në rrugë 37-vjeçarin R.B, i cili po qarkullonte me biçikletë.
I plagosuri është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, me fraktura në këmbë. Në vendngjarje kanë shkuar efektivë të qarkullimit rrugor, të cilët po kryejnë edhe veprimet e para hetimore në vendngjarje, për të konkluduar në shkaqet dhe dinamikën e aksidentit.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se shkak për aksidentin është bërë shpejtësia, me të cilën po qarkullonte drejtuesi i mjetit në këtë rrugë. Burimet policore bëjnë me dije se, drejtuesi i mjetit, 30-vjeçari A.M, është shoqëruar në polici pas aksidentit.