Shefi i zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se tha “dinari i përket shekullit të kaluar dhe kohës së Millosheviqit”.
”I vetmi që i përket shekullit të kaluar është Albin Kurti, i cili me të gjitha mënyrat po përpiqet të dëbojë nga Kosova jo vetëm dinarin, por edhe popullin serb nga vatrat e tij shekullore”, citon kosovo-online Petkoviqin.
”Kurti është ai që me politikën e tij të prapambetur, të dhunshme dhe antiserbe kërkon ta kthejë çdo ditë në një fuçi baruti gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse nuk ka politikë tjetër për t’u ofruar përkrahësve të tij, dhe kjo politikë e Prishtinës po na kthen me dekada prapa dhe në vend që të ndërtojë ura pajtimi, Kurti me veprimet e tij të njëanshme po krijon sërish një rajon krize dhe tensioni në territorin e Kosovës”.
Ai pretendon se Beogradi për më shumë se dy muaj është duke u përpjekur të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme përmes dialogut dhe kompromisit për dinarin në Kosovë.