Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pse e paditi Kadri Veseli deputetin Visar Korenica?

 
   

Ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili tash e katër vjet gjindet në Hagë të Holandës si i paraburgosur nga Gjykata Speciale, këtë të martë e ka paditur deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica. 

Veseli padinë kundër Korenicës e ka bërë për shpifje. Këtë e bëri të ditur gjatë ditës përfaqësuesi ligjor i Veselit, Faton Fetahu, i cili edhe e dorëzoi padinë në emër të ish-kretarit të Kuvendit.

Por, pse e paditi Veseli Korenicën?

Ishte një deklaratë e deputetit të Vetëvendosjes dhe anëtar i Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa i cili e kishte lakuar emrin e Veselit, kur pati pretenduar se një kompani kishte përfituar mbi 2.7 milionë euro, ndërsa mbrapa saj qëndron Kadri Veseli, sipas tij.

“Ky është një rast tjetër kriminal, me të cilin besoj se organet e drejtësisë janë tu u marrë. Në komision e kanë thënë 1.5 milionë e unë kam informacion se janë mbi 2.7 milionë, që është pagu për asnjë produkt, ndaj një kompanie armene që shteti i saj as nuk na ka njoft. Kush ka qenë mbrapa kësaj kompanie? Këtë kompani e ka shty Kadri Veseli. E kjo mundet me u dëshmu si të doni ju. Skandaloze është që janë pagu 2.7 milionë kësaj kompanie, pa bë asjgë.” – kishte thënë ndër të tjera Korenica.

Çka tha Avokati i Veselit që dorëzoi padinë?

Faton Fetahu, përfaqësuesi ligjor i ish-Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, gjatë ditës ka treguar se në emër të këtij të fundit e ka paditur deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica për shpifje.

Korenica, sipas Fetahut “në muajin mars të këtij viti, konsumoi një shpifje të pashembullt ndaj z. Veseli, në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të vlerësuar rrethanat e dështimit të një projekti në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës.

Deputeti Korenica këtë deklaratë e kishte dhënë për portalin “Indeksonline” dhe artikulli ishte publikuar me titull: “ATK-ja ‘akshom Pazar’ me pozita, avancohen punëtorët që dëmtuan buxhetin”.

Tutje Avokati Fetahu ka shtuar se, “Si rezultat, në cilësi të avokatit të z. Kadri Veseli, kam depozituar padinë për shpifje kundër këtij deputeti, i cili në cilësinë e të paditurit do të ketë barrën e provave për të dëshmuar vërtetësinë e deklaratës së tij.”.

Ai në fund ka “uruar” që kjo padi do të trajtohet me efektivitet, e mos të parashkruhet sikurse në një rast tjetër.

“Uroj dhe shpresoj që gjykata do ta trajtojë me efektivitet këtë rast gjyqësor duke e konstatuar shpifjen e z. Korenica dhe të njëjtin do ta mbajë përgjegjës për dëmet e shkaktuara, dhe në asnjë mënyrë të parashkruhet lënda, si në të kaluarën në një rast kërcënimi me jetë ndaj zotit Veseli”. – ka shkruar ai.