Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBAShK) ka paraqitur kërkesat e saj në protestën për nder të 1 majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve. Kreu i kësaj organizate, Rrahman Jasharaj, ka kërkuar nga qeveria që të reflektojë në mënyrë që të mos përsëritet viti 2022.
“Lusim qeverinë që të veprojë e të mos përsëritet viti 2022 me protesta masive”, ka deklaruar ai.
SBAShKU ka kërkuar dialog social nga qeveria për realizimin e kërkesave, konsultime para plotësimit të ligjeve, nënshkrimin e kontratës kolektive, ngritjen e vlerës së koeficientit të pagave, përmirësimin e kushteve të punës, norma javore të jetë 18 orë e disa kërkesa të tjera.
11 kërkesat e paraqitura nga SBAShK:
Duam dialog social për realizimin e kërkesave tona,
Nuk lejojmë të bëhen ndryshime të ligjeve në dëm të punëtorëve të arsimit,
Kërkojmë nënshkrimin e aneks Kontratës Kolektive të Arsimit sidomos për ruajtjen e vendeve të punës,
Qeveri respekto pensionistët sepse ju arsimuan edhe juve,
Kërkojmë urgjentisht të ngritet vlera e koeficientit të pagave për se paku 30%,
Kërkojmë përmirësimin e kushteve të punës në institucionet arsimore,
Plotësimi i Ligjeve të mos bëhet pa pajtimin e sindikatave,
Duam funksionalizimin e Këshillit Ekonomik Social,
Kërkojmë që norma javore të jetë 18 orë si në shtetet e rajonit,
Qeveria të sigurojë buxhet për zbatimin e Kontratës Kolektive të Arsimit pa pasur nevojë të shkohet në gjykata,
Kërkojmë të kemi përfaqësues të punëtorëve në komisione e borde në të cilat vendoset për çështjet jetike për punëtorët.