Deputetja greke, Dora Bakoyannis e mori fjalën e para në Asamblenë Parlamentare më 16 prill për ta arsyetuar raportin e përpiluar nga ajo i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në një opinion për të përjavshmen serbe, Radar, Bakoyannis ka shkruar për sulmet që iu bënë asaj nga lidershipi në Beograd për shkak të raportit pozitiv për Kosovën.
Ajo i përgjigjet në shkrim presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilit ia kujton se si me negociatat për “korrigjimet e kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat presupozonin ekzistencën e dy shteteve.
“Në vitin 2018, në Forumin Evropian Alpbach në Austri, presidenti Vuçiq pranoi publikisht se kishte negociuar ‘korrigjimet e kufijve’ mes Serbisë dhe Kosovës, me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Pavarësisht se negociatat për kufijtë presupozojnë ekzistencën e dy shteteve (nëse jo, atëherë me kë po negocioni?), të cilën unë e kundërshtoj, këtë e konsiderova si një akt trimërie nga ana e presidentit Vuçiq, jo një akt të tradhtisë”, shkruan ajo.
Kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës e emëroi si Raportuese për kërkesën e Komitetit të Ministrave për opinionin e Asamblesë për aplikimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se “të gjithë ishin në dijeni të lidhjeve të mia të veçanta me Serbinë dhe popullin serb”.
“Jo vetëm sepse përfaqësoj një shtet anëtar që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës*, por edhe për shkak të punës sime për Integrimin Europian të Serbisë”, shton ajo.
Ajo shkruan se “Serbia i përket Europës”, por thekson se “në vitet e fundit, perspektiva e integrimit europian të Serbisë është larguar”.
“Në të njëjtën kohë, për të gjithë ne që ëndërrojmë për një Serbi të begatë europiane, lidhjet gjithnjë e më të ngushta me Rusinë dhe Kinën, incidentet e fundit të joliberalizmit dhe rastet e përsëritura të retorikës anti-BE në diskursin politik shkaktojnë shqetësim të madh”, shkruan Bakoyannis.