Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës, që ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave, e ku janë përdor armët e zjarrit dhe thika.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka thënë se pas pranimit të informatës nga policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendngjarje.
“Nga hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje mes disa personave (familjarë), në fshatin Lupç, si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe përdorimit të thikës, janë lënduar katër persona, të cilët janë dërguar për ta marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Një person i dyshuar në këtë ngjarje është shoqëruar në stacion policor për tu intervistuar”, ka thënë Ulaj.
Sipas zëdhënëses së Prokurorisë, Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë”, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti.