Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për plagosjen në Lupç të Podujevës.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka thënë se nga hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje mes disa familjarëve janë lënduar katër persona.
Ajo tha se një person është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar.
Ulaj shtoi se Prokurori i Shtetit në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë”, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti.
“Pas pranimit të informatës nga policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendngjarje. Nga hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje mes disa personave (familjarë), në fshatin Lupç, si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe përdorimit të thikës, janë lënduar katër (4) persona, të cilët janë dërguar për ta marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa një (1) person i dyshuar në këtë ngjarje është shoqëruar në stacion policor për tu intervistuar. Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë”, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti”, tha Ulaj.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.
“Sot rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë). Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti .