Se Kosova duhet të jetë gati për luftë e ka thënë ditë më parë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Ai ka thënë se, një sulm hibrid nga Serbia gjithmonë mund të fillohet kundër nesh.
“Ne duhet të jemi gati për luftë. Po, një luftë konvencionale është e pamundur tani, pasi ne jemi të mbrojtur nga paqeruajtësit e KFOR-it. Megjithatë, siç ka treguar shembulli i Banjskës, një sulm hibrid gjithmonë mund të fillohet kundër nesh – dhe ne duhet të përgatituni që kjo të ndodhë përsëri në çdo kohë”, ka deklaruar Bislimi.
Analisti Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kjo deklaratë nuk është një befasi duke parë edhe rrezikun që i kanoset Kosovës nga Serbia.
Sipas tij, Serbia mund të sulmojë Kosovën mundësinë e parë të shpërqendrimit të vigjilencës së KFOR-it.
“Nuk besoj se është befasi fakti i rrezikut që i kanoset vendit tonë nga Serbia, kështu që edhe deklarata e z.Bislimi është pjesë e kësaj gjëje.
Në këtë kuptim, dua të vë theksin tek mobilizimi i përgjithshëm që duhet ta ketë Kosova për t’u përballuar me të gjitha format e sulmeve nga ana e Serbisë. Armatimi modern të shtohet, buxheti të rritet për ushtri dhe të shtohet numri i pjesëtareve të FSK.
Serbia do të sulmojë në mundësinë e parë të shpërqendrimit të vigjilencës së KFOR-it, ndaj edhe duhet të jemi gati kurdo”, përfundon ai për “Bota sot”.