Qytetarët e vendeve anëtare të BE-së do të votojnë nga 6 deri më 9 qershor për të zgjedhur 720 përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian për një mandat pesë vjeçar.
Njëri nga kandidatët që synon të jetë pjesë e Parlamentit Evropian në këtë proces zgjedhor është edhe shqiptari Muharrem Salihu.
Për kandidaturën e tij, Salihu thotë se nuk është e rastësishme, por një konkluzion i një rrugëtimi të gjatë ndër vite që ka pasur në Itali.
“Sondazhet janë të pranueshme, sepse këtu është një minimum nacional prej 4%, si prag që ndryshe njihet në Kosovë. Aktualisht, sondazhet e fundit janë në rritje, pra në 6%. Është krijuar një ombrellë, ku janë futur disa subjekte tjera dhe është rritur pra probabiliteti”, tha ai.
Salihu pret përkrahje nga të gjithë shqiptarët për t’u zgjedhur eurodeputet, derisa thotë se e kanë obligim të japin kontribut.
“Unë shpresoj që edhe në shtet tjera në Evropë, si në Zvicër, Gjermani dhe në disa vende tjera ka shumë shqiptarë që mund të nxjerrin përfaqësues të tillë drejtë Parlamentit Evropian. Kështu, derisa të arrijë dita që Kosova dhe Shqipëria të kenë përfaqësuesit e tyre aty. Unë pres përkrahje prej të gjithë shqiptarëve. Unë vi nga Medvegja. Të gjithë shqiptarët mendoj se e kanë obligim të japin kontributin e tyre pa marrë parasysh nga vijnë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, ai tregon edhe qëllimin që synon ta realizojë për shqiptarët në qoftë se fiton ulëse në Parlamentin Evropian.
“Ajo që ka të bëjë me komunitetin tonë, sigurisht një theks të veçantë do ta veja te të drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë”, deklaroi Salihu.
Salihu pret përkrahje të gjerë edhe nga të gjitha subjektet italiane.
“Unë pres përkrahje të gjerë prej të gjitha subjekteve. Do iu isha lutur shumë të gjithave që mos t’i japin ngjyrë politike këtij rrugëtimi, por ta konsiderojnë si rrugëtim të përbashkët, sepse është interesi i të gjithëve që të shkojmë aty”, tha kandidati për PE.