Gjykata Themelore në Prishtina ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Arijan Sijarinës, të dyshuarit për “vrasjen në tentativë” në lagjen Kolovica në Prishtinë.
Sijarina dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, Asgjësimi apo Dëmtimi i pasurisë dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Sijarina ishte i përfshirë në sulmin me armë mes disa personave në Kolovicë të Prishtinës, ku mbeti i vdekur Egzon Haziri si dhe kalimtarja e rastit Zejnie Gashi.
Për tragjedinë e ndodhur, Policia e Kosovës kishte shpallur në kërkim vëllezërit Ahmet (Ali) Berisha dhe Naim (Ali) Berisha për “vrasje të rëndë” dhe Fitim (Skender) Doda dhe Arijan (Arif) Sijarina për “vrasje në tentativë”.
Doda dhe Sijarina janë kapur nga policia, teksa vëllezërit Berisha ndodhen akoma në arrati.