Deputet i LVV-së, Dimal Basha i ftuar në “Info Plus’ ka folur për tri raportet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Kosovën, e që sipas tij, këto raporte duhet të trajtohen një nga një.
Deputeti Basha tha se raporti i ‘Freedom House’ është goxha pozitiv për Qeverinë e Kosovës dhe ka dhënë sinjale që aty ku përmendet Kryeministri Kurti është duke u luftuar krimi e korrupsioni.
“Raporti i ‘Freedom House’ është i mirë për qeverinë dhe dha sinjale që po luftohet krimi e korrupsioni nga qeveria Kurti, e për dallim nga raportet paraprake ku me emër e mbiemër i ka thirr zyrtarët e lartë shtetëror të përfshirë në korrupsion. Këtu përfshihen president e kryeministra”, theksoi Basha.
Ndërkaq për raportin e DASH-it, Basha thotë se është e vërtetë që përmendet korrupsioni në qeveri, porse sipas tij, në Amerikë kur flitet për qeveri, flitet për tri shtyllat e pushtetit.
“Në Amerikë kur flet për qeveri flet për tri shtylla, pra për gjyqësorin, ekzekutivin dhe legjislativin. E kjo me qëllim po devijohet nga opozita sepse kur flet për qeverinë nuk thotë për ekzekutivin”, theksoi Basha.
Sipas tij, raporti i DASH-it më shumë flet për sistemin e drejtësisë e i cili po shqipton ndëshkime të vogla që po jepen.