Të dielën e 12 majit Edi Rama do të nisë turin e tij në diasporë nga Athina. Në orën 11:00 janë thirrur të marrin pjesë të gjithë shqiptarët që jetojnë në shtetin fqinj.
Një ditë më parë mediat greke shkruan se kryeministri grek Mitsotakis është i shqetësuar për prezencën e homologut shqiptar në Athinë më 12 maj, pasi mund të ndikojë tek vota e shqiptarëve për zgjedhjet e eurodeputetëve grekë.
Por sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste në një intervistë televizive mohoi që ky tur të ketë qëllime elektorale e aq më shumë të jetë i lidhur me zgjedhjet europiane të 9 Qershorit.
“Presim një prezencë shumë të madhe të të gjithë komunitetit shqiptar. Nuk është një takim partiak. Turi është qartazi jo i veshur me lëvizje të tjera politike, por vetëm sa i përket kontaktit me emigracionin shqiptar”, tha ai.
Klosi ashtu si çdo eksponent tjetër i selisë rozë nuk pranon të komentojë as kandidimin e Fredi Belerit për eurodeputet nga Demokracia e Re e kryeministrit Mitsotakis.
“Sa i përket lëvizjeve në Athinë padyshim ne nuk kemi asnjë koment”, tha Klosi.
Turi është emërtuar “Krenar për Shqipërinë”.
Por për çfarë mund të jenë krenarë për vendin e tyre shqiptarët që kanë lënë atdheun për një jetë më të mirë dhe për më tepër kur premtimi kryesor i Partisë Socialiste, e drejta për të votuar nga aty ku jetojnë, duket ende larg për t’u realizuar?
“Do vazhdojmë ta kërkojmë këtë votë. Edhe pse nuk ka ndodhur, vota e emigrantëve është në prag”, tha Blendi Klosi.
Një nga arsyet e nisjes së turit sipas Klosit është për t’ju bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Diasporë që të kthehen për të jetuar dhe investuar në Shqipëri.
“Është bërë një vend për të cilën brezat e emigrantëve tashmë gjejnë një mundësi të artë për t’u rikthyer, por edhe për të gjetur veten e tyre në këtë zhvillim të Shqipërisë”, tha ai.
Turi i kryesocialistit ka të konfirmuar deri tani 4 takime në 12 maj në Athinë, 26 maj në Milano, Londër në 2 qershor dhe Dyseldorf në 16 qershor.