Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Diplomati britanik: Asociacioni nuk ka qenë asnjëherë kërkesë për Kosovën për t’u anëtarësuar në KiE

 
   

Kosova po shpreson që vendet mike të perëndimit do ta mbështesin për t’u anëtarësuar në Këshillin Evropës.

Megjithatë para fazës finale për t’u pranuar në këtë organizatë, aleatët ndërkombëtarë po kërkojnë nga Kosova që të ndërmarrë hapa për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ditë më parë, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha po ashtu se Kosova duhet të bëjë hapa të prekshëm, që nënkuptojnë dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Diplomati britanik, Timothy Less, thotë se shtetet perëndimore po e shfrytëzojnë këtë mundësi për të insistuar që Kosova ta themelojë Asociacionin.

“Për momentin, paraqitja e një draft-statuti duket të jetë parakusht për të bërë përparim me qëllimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Shtetet e Kuintit duan që Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe, por atyre u mungojnë forma të tjera të ndikimit mbi Prishtinën, siç është perspektiva e anëtarësimit në BE, dhe ata po përdorin tani mundësinë e krijuar nga dëshira e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës për të insistuar që ajo të themelojë Asociacionin”, ka deklaruar ai.

Por sipas Less, krijimi i Asociacionit nuk ka qenë më herët kërkesë për Kosovën që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, andaj këtë situatë e sheh si një formë presioni që po ushtrohet ndaj Prishtinës zyrtare nga shtetet e Kuintit.

“Duke vepruar kështu, Kuinti po përzien qartë çështje të palidhura pasi nuk ka asnjë kërkesë në statutin e Këshillit të Evropës që anëtarët t’u japin autonomi rajoneve etnike, dhe Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i APKE-së në mënyrë specifike deklaroi se themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe nuk ishte një kërkesë për të përmbushur standardet e Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut dhe rekomandoi që ajo të trajtohet veçmas për pranimin e Kosovës”, ka pohuar ai.

Njohësi i rrethanave politike nuk e përjashton mundësinë që Kosova të refuzojë të dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

“Dhe opsioni i tretë është refuzimi i përmbushjes së kërkesës së Kuintit, që do të thotë se Kosova nuk i bashkohet Këshillit të Evropës menjëherë, dhe situata mbetet e njëjtë. Për këtë arsye, edhe qeveria do të joshet nga ky opsion pasi që ka një shans të arsyeshëm që Kosova mund të jetë ende në gjendje të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në një afat më të gjatë pa pasur nevojë për themelimin e Asociacionit”, ka thënë Less.

Vendimin përfundimtar sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj.