Depërtimi i masave ajrore të qëndrueshme me origjinë perëndimore do të sjellë në vendin tonë mot të kthjellët dhe të ngrohtë gjatë gjithë paradites. Ndërsa pjesa e dytë e ditës do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira të lehta e kalimtare në bregdet dhe zonat e ulëta duke lënë me kthjellime dhe vranësira disi më të dendura zonat malore Lindore, ku nuk do të mungojnë edhe shirat e dobët e lokalë.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 4°C vlera më e ulët në verilindje të vendit deri në 25 gradë Celcius pritet vlera maksimale në qarqet Elbasan dhe Berat.
Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare si në tokë dhe në det me shpejtësi deri në 30 km/h nga drejtimi Perëndimor dhe Veriperëndimor. Kjo do të sjellë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim të ulët.
Kosova
Deri në mesditë, Kosova dominohet nga mot i kthjellët dhe relativisht i ngrohtë por pas mesdite pritet kalim i vranësirave të lehta në pjesën më të madhe të Kosovës, më të theksuara vranësirat do të jenë në ekstremin Verior dhe Veriperëndimor. Parashikohet që në mbrëmje vonë dhe gjatë natës vranësirat të largohen gradualisht duke ja lënë vendin motit të kthjellët në të gjithë territorin e Kosovës. Temperaturat e ajrit do të rriten në orët e mëngjesit dhe të mesditës duke luhatur vlerat ditore nga 3°C minimalja e shënuar përkatësisht në qytetin e Podujevës deri në 20°C vlera maksimale e cila do të regjistrohet përkatësisht në Gjakovë. Për sa i përket parametrit të erës do të fryjë e lehtë paradite por mesatare gjatë pasdites me shpejtësi deri në 30 km/h nga drejtimi kryesisht Perëndimor.
Maqedonia e Veriut
Republika e MV do të mbizotërohet nga moti i kthjellët dhe temperatura relativisht të larta gjatë orëve të paradites por pjesa e dytë e ditës do të sjellë kalim të vranësirave të lehta nëpër të gjithë MV, më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat jugore dhe jugperëndimore. Kjo situatë e qëndrueshme atmosferike do të na shoqërojë edhe gjatë natës në të gjithë Republikën e MV. Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në orët e mëngjesit duke bërë që vlera minimale të regjistrohet 3° C në qytetin e Tetovës por mesdita sjell rritje të ndjeshme të tyre duke regjistruar vlerën maksimale deri në 23°C në qytetin e Shkupit dhe Manastirit. Ndërkohë; Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites por mesatare gjatë pasdites duke arritur shpejtesinë 28 km/h nga drejtimi Perëndimor.
Europa
Kalimi i një sistemi frontal nga poli i veriut drejt brigjeve Veri-Verilindje të kontinentit do të diktojë kushtet e paqëndrueshme atmosferike në Europën Veriore dhe atë Lindore, duke sjellë reshje shiu dhe stuhi të forta ere. Po ashtu shira intensivë si edhe stuhi të forta ere do të përfshijnë ishujt Britanikë dhe pjesërisht Europën qendrore duke sjellë mjaft probleme ndërsa gadishulli i Ballkanit, gadishulli Apenin si edhe gadishulli Iberik do të mbizotërohen nga moti i kthjellët dhe temperatura relativisht të larta./abcnews.al