Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës. Gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, do të vazhdojë këtë të hënë (sot, 6 maj).
Gjyqi në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së pritet të nisë në orën 09:00, ndërsa seancë do të ketë edhe të martën, të mërkurën dhe të premten (7,8 dhe 10 maj). Në mes të muajit maj nuk pritet të mbahet asnjë seancë gjyqësore, ndërsa e fundit për këtë muaj në rastin më të madh të të mbiquajturës Gjykatë Speciale do të mbahet më 30 maj.
Ndërkohë, më 15 prill, trupi gjykues në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, në vendime të veçanta për secilin, vazhdoi paraburgimin për Thaçin dhe Veselin, duke pretenduar se vazhdon të ekzistojë rreziku se dy të akuzuarit mund ta pengojnë procesin gjyqësor dhe mund të kryejnë vepra të tjera penale. Ndërkaq, trupi gjykues vendosi ta rrisë edhe numrin e viktimave.
E prej mbi 300 dëshmitarëve në total, deri tani janë dëgjuar 60 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun. Në seancën e fundit dëshmoi ish-pjesëtari i UÇK-së, Nuredin Abazi, i cili pas luftës mbajti funksione në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999. Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.