Prej dy ditësh në fshatin Darragjat të Shkodrës vijojnë kërkimet intensive për gjetjen në lumin Bunë të trupit të Alma Arrazit dhe dy fëmijëve të saj të mitur, 8 dhe 3 vjeç.
Por banorë të zonës teksa i referohen ngjarjeve të mëparshme, thonë se “trupat e tyre mund të mos gjenden kurrë”.
Ndërkohë, dje u gjet trupi i pajetë i vajzës së madhe të saj, vetëm 9 vjeçe. Nëna, ka dyshime se në kushte të rënda psikologjike është hedhur bashkë me 3 fëmijët në lumin Buna, pas dhunës që ushtronte bashkëshorti i saj.
Gazetari i News24, Igli Çelmeta thotë se policia po shqyrton të gjitha kamerat e sigurisë për të parë se kur ka qenë dhe takimi i fundit me bashkëshortin e saj, Erdgys Arrazi, i cili kohët e fundit kishte kërkuar ndarjen nga ajo për shkak të lidhjeve jashtëmartesore që ai kishte.
Ndërkohë i riu, teksa ndodhet pas hekurave, për shtytje drejt vetëvrasjes së vajzës 9-vjeçare, e cila thuhet se kishte dhe shenja dhune në trup, ka mohuar se ushtronte dhunë ndaj familjes së tij.
Po ashtu, gazetari Çelmeta deklaroi se duke iu referuar dhe burimeve në vendngjarje, por edhe dëshmive të banorëve se trupat e nënës dhe dy fëmijëve të saj mund edhe mos të gjenden kurrë, për shkak të terrenit të vështirë. Në këtë zonë thuhet se është mbytur kohë më parë, një i moshuar, trupi i të cilit nuk është gjetur ende.