Koordinatori i Rithemelimit për Tiranën, Klevis Balliu ka folur në një media dje për protestën e gjashtë që do të zhvillohet sot jashtë Bashkisë së Tiranës. Ai ka paralajmëruar se protesta e sotme, ashtu si edhe tek të tjerat do të përshkallëzohet.
Balliu tha se protestat do të vazhdojnë dhe se kërkojnë që kryebashkiaku, Erion Veliaj të japë dorëheqje. “Për sa kohë që pushteti nuk dëgjon zërin e qytetarëve, përshkallëzimi në protesta do të vazhdojë. Ne duhet të largojmë një person, që duhet të ishte vetëlarguar.
Veliaj ka qenë në dijeni të aferave, sepse ai firmos edhe për një shtesë kati e firmos kryetari i bashkisë së Tiranës. E zëmë se nuk ka lidhje Erion Veliaj, ai është njeriu që i ka sjellë këta drejtorë në këto poste. Veliaj duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Nuk ka asnjë njeri në Shqipëri që nuk e di që Veliaj ka dijeni për aferën 5D, jo vetëm e dinte, por i drejtonte hajdutët. Veliaj është prova se SPAK është i kontrolluar.
Berisha është në masë arresti, ndërsa Veliaj jo, por vazhdon e vjedh. Veliaj iu thotë kolegë atyre të SPAK, duke iu thënë se atë institucion e kemi bërë bashkë. Edhe Enver Hoxha arrestonte dhe pushkatonte të vetët, pastaj pushkatonte edhe qytetarët. Këta arrestojnë dy ushtarë dhe nuk shkojnë tek provat themelore. Ne paguajmë sepse arkitekti i inceneratorëve është Veliaj. Pse artistët e shoubizzit marrin para, që janë bërë këshilltarë në bashki. Erion Veliaj duhet të kapet prej leckash dhe të dalë jashtë, sepse Bashkia e Tiranës është bërë si pronë private. Tiranës nuk i duhet dita pa makina, por dita pa korrupsion. Veliaj sot është një kufomë politike, askush në PS nuk e do. Policia aty ndodhet që të kapë krerët e organizatave kriminale, jo qytetarët”, deklaroi Balliu.