Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Vota në KiE do jetë kundër”, politologu spanjoll tregon kur do të njihet Kosova nga Spanja

 
   

Politologu spanjoll nga Grupi Këshillimor i Politikave ‘Ballkani në Europë’, Alehandro Perez, në një emision televiziv ka folur mbi anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Ai komentoi edhe qëndrimet e Spanjës, e cila vazhdon që të jetë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, apo avancimit në anëtarësime ndërkombëtare.

Perez tregoi se si mund ta bindë Kosova Spanjën që ta ndryshojë qasjen.

Së pari, u shpreh se shteti spanjoll nuk do njohë Kosovën derisa të arrihet një marrëveshje me Serbinë.

“Për autoritetet spanjolle, pavarësisht se kush ka qenë në qeveri, ne po flasim për partitë e krahut të majtë apo të djathtë në qeveri, qëndrimi ka qenë gjithmonë shumë i qartë. Dhe kjo është se Spanja nuk do të duhet ta njohë Kosovën derisa të arrihet një marrëveshje me Serbinë. Dhe ky ka qenë qëndrimi tradicional i Spanjës, siç po them unë, gjatë viteve, i mbështetur kryesisht në besimin e Spanjës se, le të themi, ekzistenca e një Kosove të pavarur në ditët e sotme shkel ligjin ndërkombëtar. Pra, ky është në thelb konteksti, politik dhe ligjor, në të cilit po mbështetet Spanja. Tani, Spanja nuk ka shumë stimuj për të ecur me të vërtetë drejt një njohjeje të hapur të Kosovës”, u shpreh politologu spanjoll.

Ndër të tjera, Perez nuk e përkrahu vendimin e Spanjës për bllokimin e qasjes së Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Pra, që Spanja ta bëjë këtë, kam frikë se kështu, le të themi, do të duhej të ndodhin më shumë zhvillime në lidhje me raportet dhe marrëveshjet e Kosovës me Serbinë. Megjithatë, mendoj se qëndrimi aktual i qeverisë spanjolle për bllokimin e qasjes së Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili sërish do të siguronte një sërë garancish ligjore dhe gjyqësore në aspektin e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, nuk është rruga e duhur. Dhe sigurisht që ata mund të mbajnë një qëndrim specifik për sa i përket ekzistencës apo sovranitetit të vendit, por duhet të fokusojnë realisht diplomacinë e tyre të mosnjohjes, le të themi, përmes qasjeve dhe rrugëve të ndryshme”, tha ndër të tjera Alehandro Perez.