Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi, ka demantuar deklaratën e deputetit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj, i cili gjatë ditës së sotme, ka pretenduar se në Burgun e Dubravës, të burgosurit deri në 10 ditë s’mund të pastrohen.
Gashi tha se përveç Qendrës Korrektuese të Dubravës, edhe në të gjitha institucionet korrektuese, të burgosurit e kryejnë pastrimin në përputhje me rutinat ditore.
“Pretendimet në fjalë nuk qëndrojnë. Në Qendrën Korrektuese të Dubravës, si edhe në të gjitha institucionet korrektuese, pastrimi i të burgosurve kryhet dhe vazhdon të kryhet në përputhje me rutinat ditore”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
Selmanaj të martën në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, ka thënë se sipas disa informacioneve që ai ka, në Burgun e Dubravës, të burgosurit janë të detyruar të presin deri në 10 ditë për t’u pastruar.
“Por mendoj që është shumë mirë me shku me i pa nga afër, qysh kemi shku në Danimarkë dhe kemi hy edhe në dhoma të burgosurve, me i pa kushtet fizike edhe mundemi me folë me dikë vetëm për ushqim e kështu. Se dëgjova që për shembull në burgun e Dubravës, ka me 10 ditë ndoshta që nuk munden me e shfrytëzu banjon për pastrim, deri aty ka shku. Ose dikush ka privilegje që mundet çdo ditë, po pjesa tjetër 10 ditë duhet me pritë”, ka thënë Selmanaj.