Shqipëria do të vijojë nën ndikimin e motit të kthjellët dhe të ngrohtë në bregdet dhe zonën e ulët, por më alternime kthjellimesh dhe vranësirash do të paraqiten zonat malore. Pjesa e dytë e ditës do të sjellë zhvillim të vranësirave në veri dhe pjesërisht në qendër duke gjeneruar shira të dobët dhe lokalë ndërsa me kthjellime dhe vranësira të shpeshta por pa reshje do të paraqiten zonat jugore.
Për sa i përket temperaturave të ajrit do të mbeten konstante në vlerat minimale por maksimalet do të pësojnë një rënie të lehtë të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 7°C vlera më e ulët e shënuar në Pukë deri në 26°C vlera maksimale që pritet në Jug – Jugperëndim të territorit.
Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi deri në 30 km/h nga drejtimi Veriperëndimor; kjo do të bëjë që në brigjet detare të gjenerohet dallgëzim i ulët.
Kosova
Republika e Kosovës do të paraqitet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, duke bërë që vranësirat të jenë dominante, ku herë pas here do të zhvillohen duke gjeneruar reshje shiu. Parashikohet që herë pas here të ketë intervale me kthjellime në pjesën më të madhe të Kosovës, përjashtuar zonat lindore të cilat mbeten të rrezikuara nga reshje të pakta dhe të izoluara shiu. Temperaturat e ajrit do të rriten në vlerat minimale, por ulen lehtë maksimumet duke luhatur vlerat ditore nga 8 gradë C vlera më e ulët deri në 24 gradë C vlera maksimale në rang territorit. Era do të paraqitet e lehtë dhe mesatare me shpejtësi deri në 35 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor.
Maqedonia e Veriut
Alternime kthjellmesh dhe vranësirash do të karakterizojnë kushtet e motit në të gjithë republikën e MV. Duke filluar që në orët e mesditës dhe në vijim pritet shtim i vranësirave duke rrezikuar reshje të pakta shiu në të gjithë republikën e MV herë pas here priten edhe rebeshe të izoluara, kryesisht në zonat jugore dhe juglindore të MV. Parashikohet që kjo situatë e motit të na shoqërojë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të rriten në vlerat minimale, por ulen maksimumet duke luhatur vlerat ditore nga 8°C minimalja deri në 25°C vlera maksimale e cila do të regjistrohet në qytetin e Shkupit. Ndërkohë era do të fryjë e lehtë dhe herë pas here mesatare, duke arritur shpejtësinë maksimale 30 km/h nga drejtimi permanent Veriperëndimor.
Europa
Zhvillimi i një qendre të fuqishme ciklonare në jug të Europës me ndikim në të gjithë rajonin e Mesdheut do të sjellë vranësira dhe reshje shiu në gadishullin Apenin, gadishullin e Ballkanit si edhe pjesërisht Evropën Qendrore. Herë pas here priten edhe rrebeshe. Ndërkohë, Europa Lindore do të karakterizohet nga reshje shiu e dëbore si pasojë e temperaturave të ulëta ndërsa nën ndikimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të pakta do të paraqiten ishujt britanikë, gadishulli Skandinav si edhe gadishulli Iberik./abcnews.al