Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka mbërritur sot në Prokurorinë Speciale.
Ai është ftuar të merret në pyetje për tenderin e rrugës Prishtinë-Podujevë.
Durmishi u pa bashkë me një asistent të tij duke hyrë në objektin e Speciales.
Durmishi njoftoi javën e kaluar se është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale në lidhje me tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë.
Ai nuk ka bëri të ditur se në çfarë cilësie është ftuar për intervistim, si i dyshuar apo dëshmitar.
“Të ftosh zv.ministrin për intervistim duke u bazuar në spekulimet e një operatori ekonomik, edhe pas vendimit të OSHP- së që na jep të drejtë neve si autoritet kontraktues, më duket sinqerisht e pakuptimtë. Ankesa e atij operatori ekonomik është shpallur e pabazuar edhe me vendim”, shkroi Durmishi në Facebook para rreth një jave.
Tenderi për të cilin është ftuar për intervistim zëvendësministrit Durimishi peshon 38 milionë euro. Ai është nënshkruar në vitin 2023 nga vet Durmishi, ndonëse asokohe ka pasur ankesë aktive kundër kontratave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur ka ankesë aktive nga një operator ekonomik që ka marrë pjesë në tender, aktiviteti i prokurimit pezullohet dhe autoriteti kontraktues nuk ka të drejtë të procedojë me nënshkrim të kontratave.
Një nga pesë kontratat e dhëna përmes këtij tenderi, një prej tyre në vlerë prej 9.2 milionë eurove i ishte dhënë kompanisë “Bageri”, për të cilën zv/ministri Hysen Durmishi kishte thënë se pronarin e kësaj kompanie e ka shok.