Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë filluar të votojnë mëngjesin e së mërkurës për t’i zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit në zgjedhje të dyfishta.
Votimi filloi në orën 7:00, dhe dalja në zgjedhje presidenciale në dy orët e para ishte 4.17 për qind, ndërsa për zgjedhjet parlamentare 4.45 për qind, sipas kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Novakovski.
Ai i hodhi poshtë pretendimet se mund të ketë bojkot të zgjedhjeve presidenciale, duke thënë se dalja e hershme në zgjedhjet e sotme është e ngjashme me atë të zgjedhjeve të kaluara presidenciale më 2019.
“Nga ajo që unë shoh këtu, nga të dhënat e besueshme që na kanë arritur, si edhe nga ajo që ju dëgjuat, absolutisht se nuk ka [bojtot]”, tha ai.
Rreth 1.8 milion shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë vote në këto dy palë zgjedhje: rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe në zgjedhjet parlamentare.
Këto janë zgjedhjet e para të dyfishta që mbahen në ketë vend prej vendosjes së demokracisë në vitet ‘90.
Në garën për Parlamentin e ri marrin pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.
Në radhët e Frontit Evropian garojnë edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome dhe boshnjake.
Zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe, në çdonjërën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i ka 120 ulëse.
Partitë shqiptare betejën kryesore do ta zhvillojnë në njësitë zgjedhore një, dy dhe gjashtë, ku edhe jeton popullata shqiptare.
Bazuar në sondazhet, dhe në veçanti në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt më 24 prill, VMRO DPMNE-ja është favorite për një fitore të thellë në këto zgjedhje./REL