“Çështja e Kosovës nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave javën e ardhshme dhe në këtë periudhë nuk mund të themi se kur mund të jetë”, i tha të mërkurën Zërit te Amerikës, zëdhënësi i kësaj organizate Daniel Holtgen, por pa dhënë më shumë hollësi.
Këshilli mblidhet javën që vjen dhe pritej që të votonte për kërkesën e Kosovës, e cila muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, duke nxitur besimin në Prishtinë për përmbushjen e këtij synimi dhe zemërimin në Beograd.
Çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duket se u bë “thembra e Akilit” në përpjekjet e Kosovës, sikundër është pika më e nxehtë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë.
Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e Asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor të vitit të kaluar. Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e cilësoi “absurd” dhe të papranueshëm një kushtëzim të tillë.
“Draft statuti i (Miroslav) Lajçakut dhe emisarëve të tjerë të Quintit si dokument dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si i tillë është një jodokument, pra është një non-paper. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgoj dokumente të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Gjykatë Kushtetuese, kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, tha kryeministri Kurti të mërkurën.
Dy ditë më parë pas një takimi me diplomatët e vendeve kryesore perëndimore në Prishtinë ai bëri thirrje që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, meqë këto procese janë të ndara.
Por, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili është në fund të mandatit, tha se këto procese “janë shumë të lidhura”. Këshilli i Evropës, tha ai, “ka të bëjë me trajtimin e pakicave dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e pakicave dhe kjo përfshinë edhe Asociacionin”.
Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projekt statut të Asociacionit, i cili duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese para themelimit. Themelimi i tij është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.
Serbia u vu në fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndonëse me marrëveshjen e Ohrit zotohet të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare./VOA