Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Putin: Asgjë e pazakontë në stërvitjet me armët taktike bërthamore

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se nuk ka asgjë të pazakontë në stërvitjet e planifikuara të vendit të tij me armët taktike bërthamore.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të hënën se do të praktikojë dislokimin e këtyre armëve në jug të Rusisë, bashkë me Bjellorusisë, pas “deklaratave kërcënuese” nga Perëndimi.

“Nuk ka asgjë të pazakontë këtu, kjo është punë e planifikuar, është stërvitje”, tha Putin, raporton agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Vitin e kaluar, ai ka thënë se Moska ka transferuar disa armë taktike bërthamore në Bjellorusi.

Ka qenë kjo lëvizja e parë e tyre jashtë Rusisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, në vitin 1991.

Duke folur të enjten përkrah presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, Putin tha se i ka sugjeruar Bjellorusisë që të angazhohet në një nga pjesët e stërvitjeve të planifikuara.

“Siç më ka thënë edhe ministri rus i Mbrojtjes, tashmë kemi filluar t’i zbatojmë këto udhëzime”, tha Lukashenko.

Se kur saktësisht do të mbahen stërvitjet, nuk është e qartë.

Roli i armëve bërthamore strategjike është t’i godasin objektivat e armikut larg vijës së frontit, ndërsa armët bërthamore taktike janë krijuar për t’u përdorur në fushat e betejës.

Rusia ka arsenalin më të madh të armëve bërthamore në botë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se stërvitjet kanë për qëllim t’i rrisin aftësitë e ushtrisë ruse “për të siguruar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit rus”, në përgjigje të “deklaratave provokuese dhe të kërcënimeve të zyrtarëve perëndimorë ndaj Federatës Ruse”.

Ajo nuk specifikoi më shumë, por, javën e kaluar, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përsëriti deklaratën se vendi i tij nuk mund ta përjashtojë dërgimin e trupave në Ukrainë, për ta ndihmuar atë në luftë./REL