Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Prokuroria dyshime mbi versionin e vetëvrasjes së Alma Arrazit dhe tre fëmijëve, ja detaji që çoi në pistën e re të hetimit

Alibia se Alma Arrazi dhe tre fëmijët e saj janë hedhur nga ura e vjetër apo ura e re e Bunës duke i dhënë fund jetës për momentin bie poshtë për policinë dhe prokurorinë e Shkodrës sepse dyshohet se vendi i vetëvrasjes është poshtë urës dhe jo mbi urë. Kjo pasi një kukull e dyshuar se ishte e njërës prej vajzave të Alma Arrazit e cila mendohet se mbyti tre fëmijët e saj dhe u vetëvra në ujërat e lumit Buna zbuloi vendin se ku 39 vjeçarja mund të ketë kryer aktin e rëndë. Policia vendore e Shkodrës gjeti poshtë urës së re të Bunës kukullën e cila dyshohet se i përkiste njërës prej dy vajzave të mbytura.

Në fund të urës së re Bunës, në këmbët poshtë kësaj ure, në një vend me zhavor dhe pemë e shkurre efektivët gjetën kukullën e cila është sekuestruar nga prokuroria dhe është çuar për t’i bërë AND-në nëse ka apo jo lidhje me njërin prej tre fëmijëve të mbytur të Alma Arrazit. Kukulla e gjetur në breg poshtë urës, bëri që forcat RENEA nga fshati Darragjat ku u gjet vajza 9 vjeçe të përqëndrojnë kërkimet e tyre në këtë vijë ujore të lumit. Vetëm pak metra më tutje, tek pinarët u gjet trupi i pajetë i vajzës 8 vjeçare. Jo shumë larg nga pinarët, në një largësi prej afro 2-3 kilometër në afërsi të Oblikës në Anën e Malit u gjet edhe trupi i djalit 4 vjeçar dhe rreth 35 kilometër nga aty përballë fshatit Pentar në ujërat që i përkasin Malit të Zi u gjet edhe trupi i pajetë i Alma Arrazit.

Pista se Alma Arrazi mund të jetë hedhur nga ura e vjetër apo ura e re e Bunës për momentin për policinë dhe prokurorinë ka rënë poshtë kjo për shkak të kukullës të gjetur në breg të Bunës poshtë urës së re. Ajo që dyshohet është se Alma Arrazi pasi ka konsumuar kafen me kunatën e saj ka kaluar në këmbë në urën e vjetër të Bunës dhe ka vijuar po në këmbë në drejtim të urës së re të Bunës dhe është ulur po në këmbë në fund të kësaj ure në një terren që nuk është shumë i lehtë për t’u zbritur dhe prej aty pasi ka mbërritur në breg dyshohet se kreu edhe aktin e rëndë duke u mbytur bashkë me tre fëmijët e saj, ngjarje e cila mendohet të ketë ndodhur rreth orës 22:00 të 2 prillit.

Në afërsi të vendit ku është gjetur kukulla erdhi edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili bëri edhe një deklaratë duke dhënë lajmin e gjetjes së trupit të dytë. Deri më tani nuk ka asnjë dëshmitar që ka parë 39 vjeçaren dhe 3 fëmijët duke ecur në urë apo edhe duke u ulur poshtë urës së re të Bunës apo edhe momentin kur i dha fund jetës së saj dhe fëmijëve. Po ashtu të paktën deri më tani nuk ka asnjë dëshmitar që mund ta ketë parë Alma Arrazin duke u hedhur në ujë bashkë me fëmijët e saj si dhe nuk ka asnjë dëshmitar që të ketë dëgjuar zhurma apo të bërtitura fëmijësh. Tashmë pritet që ekspertiza të kthejë përgjigjen e AND-së nëse kukulla i përket njërit prej fëmijëve të Alma Arrazit. Prokuroria dhe policia vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë këtë ngjarje për të cilën është i ndaluar Erdgys Arrazi, bashkëshorti i 39 vjeçares për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes” si rrjedhojë e dhunës në familje, akuza të cilat vetë ai dhe i vëllai i tij i kanë mohuar ndryshe nga motra e Almës e cila e ka akuzar për dhunë në familje dhe tradhti