Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hajdutët që kishin cak shtëpinë e priftit plagosën policin në Klinë, si ndodhi rasti?

 
   

E enjta nuk nisi mirë për priftin e kishës së Zllakuqanit.

Disa hajdutë ende pa zbardhur mirë mëngjesi, ia mësynë shtëpisë së tij në këtë fshat të Klinës.

Por ata u vërejtën nga prifti i cili lajmëroi Policinë e Kosovës, e të cilët hasen në rezistencë me hajdutët.

Kur si pasojë mbeti i plagosur një zyrtar policor.

Polici i cili mori plagë në këmbë nga Klina u nis për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Pacienti për të cilin jeni interesuar ka ardhë në ndërrimin e kaluar dmth gjatë natës, është trajtuar ka pasur lëndim me armë zjarri në regjionin e nëngjurit siç i themi ne në regjionin kirural është trajtuar me të gjitha ekzaminimet përkatëse i është dhënë terapia dhe pacienti është lëshu për trajtim të mëtutjeshëm në shtëpi, nuk ka qenë diçka rrezik që me u trajtu në QKUK”, tha Agron Çitaku- mjeku kujdestar në Emergjencë.

Detaje se si ndodhi rasti dha zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Sot në orët e mëngjesit, në orën 3:56 minuta, stacioni policor në Klinë është njoftuar se në fshatin Zllakuqan, në shtëpinë e banimit të priftit kanë hyrë disa persona të dyshimtë. Policia menjëherë ka dal në vendin e ngjarjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes ka has në rezistencë të armatosur, me rast nga te shtënat me armë zjarri një zyrtar policor është lënduar. Për momentin e dijmë se kanë qenë disa të dyshuar nuk e dijmë sa, për vjedhje nuk e dijmë shumë e parave që janë vjedhur”, tha Gashi.

E gjurmët e krimit ishin prezentë.

Hajdutët dyshohet se me forcë thyen derën e shtëpisë së priftit në fshatin Zllakuqan të Klinës, ku policia e Kosovës edhe ka shënjuar gjurmët. Ata dyshohet se vodhën një shumë të parave.

Në lëvizje janë vënë menjëherë edhe Prokuroria.

“Objekti fetar i kishës katoike ishte cak i një grabitje të armatosur, për fatin e mirë të nga prifti i kësaj kishe janë vërejtur grabitqarët ku një patrullë ka mbërritur në afatin optimal në vendin e ngjarjes. Parat kanë arritën të shpëtohen të mos grabiten dhe për këtë çështje janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me njësitë përkatës me prokuroret e shtetit, që të identifikohen këta persona dhe me pas të arrestohen”, ka thënë zëdhënsi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.

Ndërsa, prifti i kishës nuk ka pranuar të flas para kamerës, pavarësisht përpjekjeve të televizionit.