Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Vetëm sot 29 qytetarë i kanë konvertuar patentë shoferët ilegal në RKS”

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se në ditën e parë, të afatit tremuajsh, 29 qytetarë i kanë konvertuar patentë shoferët e lëshuara nga struktura ilegale në patentë shoferi të Republikës së Kosovës.

Sveçla përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sot ka filluar me sukses zbatimi i vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme i cili do zgjasë tre muaj dhe brenda këtij afati qytetarët tanë të cilët posedojnë patentë shoferi të strukturave ilegale serbe do të kenë mundësi t’i konvertojnë ata në patentë shoferi të Republikës së Kosovës.

“Vetëm sot, 29 qytetarë janë përgjigjur pozitivisht thirrjes në 9 komuna të Republikës së Kosovës. Kjo do të jetë një mundësi e mirë për qytetarët tanë që pas pajisjes me patentë shoferi të Republikës sonë, të kenë mundësinë të qarkullojnë lirshëm brenda vendit tonë”, ka shkruar Sveçla.

 

Më tek ministri Sveçla ka thënë se “ky vendim vjen pas kërkesave të qytetarëve tanë nga radhët e komunitetit serb si dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të rritjes së sigurisë publike dhe adresimit të kërkesave të qytetarëve”.

“I falënderoj qytetarët për bashkëpunimin dhe bëj thirrje që të shfrytëzojnë këtë mundësi brenda afatit të ofruar”, ka shkruar Sveçla.

Ndryshe, ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë vendimin që ua mundëson qytetarëve kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Një kohë të gjatë kemi pranuar kërkesat tuaja për marrjen e një vendimi të këtillë. Ne duam t’ua lehtësojmë qytetarëve tanë problemet e përditshme, me të cilat ballafaqohen”, tha kryeministri Albin Kurti, përmes një adresimi në gjuhën serbe.

“Kalimi në patentë shofer të Republikës së Kosovës, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve”, njoftoi të martën Zyra e kryeministrit të Kosovës, në një komunikatë për medie, në të cilën ishte bashkëngjitur linku me videoadresimin e Kurtit.

MPB-ja bëri të ditur se kalimi në patentë shofer RKS nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentës së shoferit, “por vetëm aplikim, të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente”.

Dokumentet që duhen përfshirë në aplikim, sipas MPB-së, janë letërnjoftimi, origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikata e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës dhe origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK-u apo RKS “në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

Ky vendim hyri në fuqi me datën 9 maj dhe është i vlefshëm deri me datën 9 gusht 2024.