Ditën e djeshme një ngjarje e rëndë u raportua në Tiranë ku dy shtetase nga Ukraina u gjetën të vdekura në një banesë në zonën e “Rrugës së Dibrës”. Antonina Kozachenko 25 vjeçe dhe Anastasia Lopukhova 40 vjeçe u gjetën të pajeta nga shoqja e tyre e dhomës.
Ajo ka treguar se kanë qenë të treja së bashku dhe se kanë konsumuar alkool, por dy të rejat kanë konsumuar edhe medikamente qetësuese. Më tej ajo ka treguar se njëra prej tyre vuante nga zemra, dhe tjetra nga epilepsia. Sipas dëshmisë, ajo tregon se kur është zgjuar nga gjumi i ka gjetur të dyja shoqet pa jetë, dhe më pas ka njoftuar policinë.
“Antonian dhe Anastasian i kam shoqe. Erdhën në Shqipëri për pushime. Në mbrëmje nisëm të pimë alkool të treja. Vajzat kanë pirë edhe qetësues metadol dhe një medikament tjetër në formë tretësire që nuk e di çfarë ishte. Kemi vijuar për disa orë të pimë me pas më zuri gjumi. Kur u zgjova i kam parë pa jetë dhe njoftova policinë. Nga sa informacione kam Antonia ka pasur probleme me zemrën ndërsa Anastasia ka vuajtur nga epilepsia”, ka dëshmuar ajo.