Partitë politike në Kosovë nuk njihen për unitet, pasi jo rrallëherë kanë vënë në pah ndasitë dhe kanë refuzuar të bashkëpunojnë.
Së fundi, kryeministri i vendit Albin Kurti, u bëri ftesë publike krerëve të opozitës, që të takohen për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sesionin pranveror.
I vetmi që ju përgjigj pozitiv kësaj ftese ishte kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka theksuar Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së.
Kurse, dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për t’u takuar dhe për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sesionin pranveror.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e vlerësoi të vonuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për takim për agjendë legjislative.
Ndërsa, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në letrën dërguar Kurtit ka thënë se tema e takimit agjenda legjislative bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare.
Një reagim ndaj partive opozitarë për refuzimet që iu bënë erdhi nga kryeministri Kurti.
“Jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm. Këtë e kam treguar edhe në të kaluarën dhe do ta tregojë edhe në ditët, javët e muajt në vijim, tash që kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës”, ka thënë Kurti.
Në lidhje me këtë ftesë dhe refuzimin e partive politike për bashkëpunim folën njohësit e çështjeve politike.
Elezaj: Kosova sot nuk ka opozitë të bashkuar
Rexhep Elezaj
Opinionisti Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se ftesa e Kurtit është e vonuar dhe se tema e këtij takimi do duhej të ishte anëtarësimi i Kosovës në KiE.
“Së pari, duhet konstatuar, se ftesa e kryeministrit Kurti për një takim joformal me tri partitë opozitare, LDK, PDK dhe AAK, vjen mjaft e vonuar, dhe, në vend se temë e këtij takimi të ishte propozuar situata politike në vend, përkatësisht se çfarë hapave duhet t’i ndërmarrin bashkërisht pozitë-opozitë, që të sigurohet anëtarësimi i Kosovës në KiE me 16 maj nga ana e ministrave të Këshilli të Evropës, kësaj organizate kyçe evropiane, për takim propozohet një temë krejtësisht e brendshme e Kuvendit të Kosovës, siç është çështja e legjislativit për sezonin pranveror, madje aspak urgjente, krahasuar me interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
Krahas kësaj, Elezaj komentoi edhe nivelin e bashkëpunimit pozitë-opozitë, e që sipas tij nuk është i kënaqshëm.
“Se, në çfarë niveli ka qenë dhe vazhdon të jetë bashkëpunimi pozitë-opozitë në Kosovë, është kjo një çështje e cila lë shumë për të dëshiruar, dhe përgjegjësinë për këtë mos bashkëpunim e mbanë, si gjithkund në botën demokratike, partia në pushtet dhe qeveria që ajo udhëheq, e që në rastin e Kosovës në tri vitet e kaluara është dëshmuar qartë, se pozita në pushtet, pra LVV-je, nuk i ka ofruar “de-facto” asnjë shans opozitës për bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve me interes shtetëror, siç është dialogu me Serbinë, politika e brendshme nacionale dhe ajo e jashtme në fushën diplomatike. Mbase, opozita ka qenë e anatemuar, e injoruar dhe shpeshherë edhe e tallur nga ana e partisë në pushtet, duke shkelur parimin bazë të demokracisë, e ai është, se pa opozitë të fortë, nuk ka as pushtet të fortë, se pa opozitë të mirëfilltë, nuk ka as pushtet demokratik, siç nuk mund të ketë as balancim pushtetesh, sa herë që bëhet fjalë për interesa strategjike dhe diplomatike, siç është tani anëtarësimi e Kosovës në KiE dhe organizata tjera kyçe ndërkombëtare”, shpjegoi ai.
Më tej, opinionisti kritikoi edhe opozitën për qasjen ndaj qeverisë dhe mospërkrahjes së vendimeve të rëndësishme që ajo mori.
“Në anën tjetër, duhet theksuar faktin, se opozita e sotme ndaj pushtetit aktual të LVV-je dhe qeverisë Kurti, nuk ka qenë në nivel të detyrave të saja kushtetuese dhe parlamentare, duke mos u pozicionuar asnjëherë qartë kundrejt temave të mëdha shtetërore, siç ishte situata në veri të Kosovës, si dhe për masat që i ndërmori qeveria Kurti në atë pjesë të vendit, madje duke heshtur si peshku n’ ujë rreth çështjeve, të cilat, po aq sa janë në kompetencë të pozitës në pushtet, aq janë të obligueshme për opozitën, në mos me përkrahje të saj, atëherë duke heshtur.
Me një fjalë, opozita aktuale në Kosovë në tri vitet e qeverisjes së Albin Kurtit, ka treguar qartë se nuk ka ditur, ose nuk ka pasur forcë, që të bëjë opozitarizëm të mirëfilltë, por dhe as luftë për pushtet, duke e futur kokën si bibani në zall”, nënvizoi Elezaj.
Ndër të tjera, ai shtoi se fakti që PDK e pranoi ftesën, kurse LDK dhe AAK jo, dëshmon që opozita nuk është e bashkuar.
“Pra, vetë fakti se ftesës së vonuar të kryeministrit Kurti për takim darke të hënën e ardhshme nuk i janë përgjigjur që të tria partitë bashkërisht, por vetëm PDK-ja, ndërsa dy të tjerat, LDK dhe AAK, e refuzuan atë, dëshmon qartë se Kosova sot nuk ka opozitë të bashkuar, veçse të përçarë dhe separatiste në ambiciet e tyre për të ardhur në pushtet, pa ofruar kurrë zgjidhje alternative për çështjet dhe problemet me të cilat ballafaqohet shteti i Kosovës.
Mendoj, se mos pranimi i ftesës së kryeministrit Kurti nga ana e LDK-së dhe AAK-së për takim konsultativ të hënën e ardhshme me tri partitë opozitare, sado që mund të jenë të mëdha mospajtimet mes tyre, ishte gabim i pajustifikueshëm, kur të gjithë e dimë, se aktualisht Kosovës i duhet më shumë se kurrë uniteti politik dhe strategjia e përbashkët kombëtare, gjithnjë në kuadër të rrjedhave të komplikuara gjeostrategjike në Ballkanin perëndimorë, Evropë dhe botë”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.
Mehmeti: AAK nuk më befason me veprimet e saj – LDK gaboi
Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti kritikoi ashpër LDK-në për refuzimin që ia bëri Kurtit, derisa tha se kjo parti po ikë nga përgjegjësia dhe po kthehet në një parti pakredibilitet.
Faton Mehmeti
“Është e pafalshme sidomos nga LDK që thirret si parti institucionaliste dhe refuzon takimin e kryeministrit, kjo bie ndesh me deklarimet e tyre. Në këtë, kuptim duhet thënë se LDK ka gabuar shumë që vazhdon të ndërtoj qasjen e refuzimit, të ikjes nga përgjegjësia e të kthehet në parti inatesh e pa kredibilitet”.
Kurse, për qëndrimin e AAK-së nuk u shpreh i befasuar, pasi veprimet e tilla tha që e kanë sjellë në prag të shuarjes si parti. Derisa, për PDK-në tha se po tregohet e përgjegjshme.
“Derisa, AAK nuk më befason me veprimet e saj, është parti drejt shuarjes, si pasojë e veprimeve të tilla, pa përgjegjësi, pazare dhe pa parime. Duke shkuar rrugës së AAK, faktikisht LDK po rrëshqet drejt një terreni që nuk e dërgon askund pos në fundosje. PDK po tregohet më e përgjegjshme, kështu duhet të kenë të gjithë kur bisedohet për interesa të vendit”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.