Më 13 maj 1999 në Korishë të Prizrenit, forcat e pushtuesit serb kryen masakër mbi popullsinë civile të pafajshme duke vrarë 77 civilë shqiptarë, prej tyre 14 fëmijë.
Në 25-vjetorin e kësaj masakre, kryeministri Albin Kurti tha se vrasjet pa dallim moshe e gjinie janë dëshmi e gjenocidit që Serbia kreu gjatë luftës në Kosovë.
“Në Ditën e Martirëve të Korishës, kujtojmë civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë, të vrarë në maj 1999. Përkujtojmë viktimat civile që ishin futur në kurthin e vdekjes prej forcave serbe.
Lavdi martirëve të Korishës! Lavdi secilës jetë të sakrifikuar në rrugën tonë për liri”, ka shkruar Kurti në Facebook.